Më në fund ka ardhur momenti i shumëpritur për të parë në fushë edhe një nga blerjet më të rëndësishme të Vllaznisë, pikërisht mbrojtësin e kombëtares ugandeze Godrey Walusimbi.

Lojtari ka vetëm pak ditë që ka mbërritur në Shkodër për shkak të vonesave në procedurën e marrjes së vizës dhe nuk u preferua të luante ndaj Skënderbeut ngaqë kishte pak seanca në stërvitje me kuqeblutë, pritet të luajë sot në formacion ndaj Burrelit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.

Ai është grumbulluar nga ana e trajnerit Jonuz për këtë takim dhe pritet ta nisë nga minuta e parë. Tifozët e Vllaznisë janë shumë kurioz ta shohin në fushën e lojës këtë lojtar ngaqë për të është folur shumë meqenëse ka luajtur plot 93 ndeshje me kombëtaren e vendit të tij.

Nëse Walusimbi rezulton të jetë vërtetë i tillë në vlera dhe në formën fizike, padyshim që do të jetë një element me vlerë për ekipin i cili në krahun e majtë të mbrojtjes në fakt ka shfaqur jo pak probleme dhe stafit teknik i është dashur të adaptojë lojtarë të tjerë në këtë pozicion. Sfida e sotme ndaj Burrelit kësisoj më shumë sesa për rezulratin pritet të ketë vëmendjen tek ugandezi dhe paraqitja e tij në fushë.
www.shkodrasport.com