Pikërisht sot, më 14 qershor mbushen plot 10 vite që ai nuk është më. Jo vetëm nuk është më president i Vllaznisë, skuadrës së tij të dashur, por nuk është më mes nesh, nuk është mes familjes së tij. Ka qenë 14 qershori i vitit 2003 që shkaktoi bujë (madje edhe për disa ditë më vonë) me vrasjen e këtij biznesmeni të njohur në Tuz të Malit të Zi. Pa u ndalur tek kjo, sigurisht që ne na intereson të kujtojmë çfarë ka bërë ky njeri për Vllazninë përderisa edhe sot, 10 vite pas vdekjes së tij, të gjithë e kujtojnë me nostalgji periudhën e drejtimit prej tij të klubit shkodran. Kush ka qenë Myftar Çela. Ka lindur në Bajzë të Malësisë së Madhe më 25 mars 1957. Që në vitet e rinisë, skuadra e tij e zemrës ka qenë Vllaznia të cilën e ka ndjekur nga afër gjithnjë. Me ndryshimet demokratike, falë talentit të tij, bëhet shumë shpejt një nga biznesmenët më të njohur. Në vitin 1996 afrohet si sponsor pranë KF Vllaznia. Në vitin 1997 nis detyrën e presidentit të këtij klubi por zyrtarisht në këtë post, do të zgjidhej më 12 gusht 1998 në asamblenë e klubit të futbollit Vllaznia. Nën drejtimin e tij si president, Vllaznia do të ishte kampione e Shqipërisë në sezonet 1997-98 dhe 2000-2001. Në vitin 2001 ka fituar edhe trofeun e Superkupës. Gjatë këtyre viteve, ekipi shkodran ka marrë pjesë me dinjitet në veprimtarët ndërkombëtare si Liga e Kampioneve në sezonin 1998-99 dhe 2001-02 si dhe në Kupën UEFA në sezonin 1999-2000. Suksesin më të madh sigurisht që e ka arritur në sezonin 2001-02 në Ligën e Kampioneve kur në turin e parë paraeliminator Vllaznia kaloi ekipin Rejkjavik të Islandës dhe në turin e dytë u ndesh me Gallatasaraj të Turqisë. Nuk mund të lihen pa përmendur edhe ndeshjet dinjitoze me Dinamon e Tbilisit dhe Spartak Tërnavën. Myftar Çela ka meritën e jashtëzakonshme të organizimit të ndeshjes Shqipëri- Rusi në Shkodër në vitin 2003, pa përmendur edhe sponsorizimin disa herë të ekipit tonë kombëtar. Ai është ndarë nga jeta siç thamë më 14 qershor 2003 dhe pak ditë më vonë, pikërisht për këtë kontribut në sport, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e nderoi me “Medalje të Artë” ndërsa Këshilli Bashkiak Shkodër me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
Fakti që ka qenë presidenti më i suksesshëm i Vllaznisë, ka bërë që tifozët shkodranë ta kujtojnë herëpashere atë dhe të deklarojnë se me vdekjen e tij, Vllaznia ka humbur shumë. Natyrisht ky është një vlerësim për kontributin e tij financiar tek Vllaznia dhe rolin e tij të rëndësishëm për ta çuar në vendin që i takon asaj.
Gjergj KOLA