E kujtojmë sot, pikërisht në ditën e përvjetorit të 26 të ndarjes së tij nga jeta. E kemi fjalën për një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Kolec Krajës.

Në fakt, në Shkodër pakkush ka folur për të, ndoshta edhe ngaqë kontributi i tij për futbollin e këtij qyteti nuk ka qenë i madh, por ai njihet si një nga lojtarët më të mirë të Partizanit në vitet ’50 dhe fillimin e viteve ’60. Ka qenë njëkohësisht edhe anëtar i kombëtare shqiptare në ato vite. Një sulmues me vlera i cili ka spikatur me golat e tij jo vetëm në kampionate e kupa, por edhe në ndeshjet ndërkombëtare si me ekipin e tij ashtu edhe me atë kombëtar.

Kolec Kraja ka lindur në Shkodër më 28 nëntor 1933 dhe që në moshë të vogël merret me futboll. Arrin t’i bashkohet me ekipin e parë të Vllaznisë me të cilin do të luajë deri në vitin 1953, ndërkohë që më pas do të shkojë në Tiranë ku i bashkohet Partizanit me të cilin do të luante deri në fund të karrierës së tij.

Ai ka qenë një ndër sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar të atyre viteve, ndërkohë që ka luajtur edhe me kombëtaren shqiptare. Ka arritur të shpallet kampion i Shqipërisë me të kuqtë në vitet 1957, 1958, 1959, 1961, 1963 dhe 1964.

Ai ka qenë ndër emrat më të shquar të Partizanit por edhe kombëtares tonë në ato vite. Në një ndeshje miqësore të luajtur në Turqi në vitin 1961 ndaj Fenerbahçes, Kraja ka shënuar të tre golat për Partizanin duke i dhënë fitoren atij me rezultatin 3-2 ndaj ekipit të njohur turk.

Por ai nuk ka shënuar vetëm në miqësore. Kraja ka rregjistruar emrin si i pari futbollist shqiptar që ka shënuar një gol në Kupat e Europës me ekipet tona. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e Partizanit ndaj suedezëve të Norrkoping, luajtur në Tiranë më 12 shtator 1961. Sulmuesi shkodrani shënoi në minutën e 48-të, goli ky që ishte i barazimit dhe vulosi rezultatin përfundimtar 1-1 në këtë takim të vlefshme për Ligën e Kampioneve të Europës.

Ka shënuar edhe në ndeshjet e Kupës Ballkanike, pikërisht ndaj Levski të Sofjes më 29 mars 1961 duke kontribuar në fitoren 2-0 të të kuqve në ndeshjen e luajtur në Tiranë.

Shkodrani është një nga shënuesve më të mirë në historinë e Partizanit me fanellën e të cilit ka shënuar 42 gola në kampionate dhe konkretisht 5 në atë të vitit 1955, 6 gola në kampionatin e vitit 1957, 8 gola në kampionatin e vitit 1958, 7 gola në kampionatin e vitit 1960 dhe po aq në atë të vitit 1961, 8 gola në kampionatin e sezonit 1962-63 dhe 1 në atë të 1963-64 që ka qenë edhe i fundit për karrierën e tij sportive.

Pas përfundimit të karrierës, angazhohet nga drejtuesit e klubit Partizani për zbulimin e elementit të ri dhe sëbashku me Loro Boriçin do ta bënin këtë punë në mënyrë të shkëlqyer duke ofruar pranë ekipit emra të rëndësishëm si Berisha, Hysi, Breca, Lame, Janku, Ziu, Fagu, Brajo, Muhedini, Rragami e shumë të tjerë.

Provon të drejtojë edhe Vllazninë për pak kohë, pikërisht në sezonin 1980-81, kur i ngarkohet të punojë sëbashku me Qamil Halluni, por vetëm për 6 javë sepse mungesa e rezultateve bën që kjo dyshe të largohet dhe t’i lërë vendin Medin Zhegës e Esat Rakiqit që atë sezon fituan Kupën e Republikës.

Ka vdekur më 22 maj 1994, pra si sot 26 vjet më parë, në moshën 61 vjeçare, por duke lënë pas një emër shumë të madh në historinë e futbollit shqiptar.
Gjon GJEKA