Miqësorja e radhës për Vllazninë do të jetë sërish ndaj një klubi kryeqytetas, këtë herë kundër Dinamos së drejtuar nga italiani Luixhi di Biaxho.

Dy klubet kanë rënë dakord që kjo ndeshje të zhvillohet sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në orën 20:00. Ky do të jetë testi i fundit për skuadrat, pasi javën tjetër, më 26 gusht, nis zyrtarisht kampionati për sezonin 2023-2024.

Të shtunën e kaluar Vllaznia luajti me Tiranën, ku fitoi 0-1 falë golit të mbrojtësit Millosh Stojanoviç në stadiumin “Selman Stërmasi”. Trajneri Migen Memelli pritet të provojë sot formacionin më të mirë, që me shumë mundësi do të zbresë në fushë edhe ndaj Kukësit në javën e parë.

Ndërkohë, për sulmuesi nga Ekuadori, Frank Obando, do të jetë shansi i fundit për t’u provuar, edhe pse gjasat për të firmosur janë të pakta.