Në dy ndeshjet miqësore që ka qenë pjesë e Vllaznisë, ato ndaj Kastriotit dhe Terbunit, sulmuesi ganez me pasaportë italiane Charles Buaku Atsina ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë. Me dy gola në këto miqësore ai është shënuesi më i mirë i kuqebluve dhe padyshim që prej tij pritet shumë. Pyetja që lind nga tifozët është nëse ky lojtar do të shënojë edhe pasditen e sotme në ndeshjen e rradhës, atë që do të luhet në Lezhë ndaj Besëlidhjes?
Me siguri që 28 vjeçari do të kërkojë të bëjë këtë gjë për të justifikuar edhe besimin e shfaqur nga drejtuesit e klubit shkodran dhe stafi teknik. Megjithatë ka edhe nga ato tifozë që e shohin në mënyrë skeptike afrimin e këtij sulmuesi që duket se di të shënojë vetëm në ndeshjet miqësore. Për më tepër që pak ditë më parë është publikuar edhe një lajm për të. Pikërisht për vendosjen e një rekordi kur në një ndeshje miqësore të luajtur me një ekip gjerman ka arritur të shënojë 8 gola brenda 60 minutave. Gjithsesi duhet ta shohim në fushë, fillimisht në miqësore dhe pastaj edhe në ndeshjet zyrtare nëse Vllaznia me Atsinën ka bërë zgjedhjen e duhur për sulmin apo jo.
© shkodrasport.com