Sot do të luhen çerekfinalet e kthimit për Kupën e Shqipërisë, një “komardare” shpëtimi për shumë ekipe dhe mundësi për të vazhduar ëndrrën për pjesëmarrje në Europa League sezonin e ardhshëm.
Tirana, e vetmja skuadër e kategorisë së parë ende në garë do të përballet me Kukësin, ekipi kampion në fuqi në Shqipëri, por shumë larg paraqitjeve të sezonit të kaluar që sollën titullin e parë dhe të vetëm në historinë e veri-lindorëve.
Kukësi vjen nga një humbje “e turpshme”, në shtëpi kundër Kamzës, ndërsa Tirana që po dominon Grupin e Jugut e ka Kupën e Shqipërisë si mundësinë e vetme për t’u paraqitur në elitën e futbollit të vendit tonë.
Në “Ymer Zeqiri”, gjithçka do të nisë nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të luajtur në “Selman Stërmasi”, ku bardheblutë shënuan të parët.
Kukësi nuk ka humbur asnjë ndeshje për Kupën e Shqipërisë në këtë edicion, ndërsa në kampionat e ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit dhe renditet në vendin e tretë, plot 14 pikë lag nga Skënderbeu kryesues.
Te kuksianët do të mungojnë dy qendërmbrojtësit, Alla dhe Shamedi për arsye dëmtimesh, ndërsa Tirana do të zbresë në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm.
Secila nga katër ndeshjet e fundit të kryeqytetasve në Kupën e Shqipërisë ka pasur më pak se 3 gola.
Tirana është fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë dhe e ka fituar këtë trofe 16 herë, më shumë se çdo skuadër tjetër, ndërsa Partizani e ka fituar 16 herë, për herë të fundit në vitin 2004, trofeu i fundit i fituar nga “të kuqtë”
Ndërkohë, një tjetër ndeshje që shfaq interes është Partizani-Flamurtari, me vlonjatët që janë në avantazh pasi kanë fituar 1-0 në ndeshjen e parë.
Flamurtari ka qenë surpriza në këtë edicion të Superligës dhe pavarësisht nga humbja 1-0 kundër Skënderbeut në javën e fundit, mban vendin e dytë në kampionat.
Flamurtari fitoi 1-0 ndaj Partizanit dhe dy javë më parë në përballjen e kampionatit.
“Të kuqtë”, që po bëjnë një sezon shumë larg pritshmërive e kanë kupën si të vetme mundësi për të marrë një trofe në këtë sezon.
Trajneri Sulejman Starova do të jetë sërish i skualifikuar, ndërsa në sulm do të luajë Jurgen Bardhi, duke qenë se blerja kryesore e verës, Edgar Çani mbetet i padiponueshëm.
Sa për statistikë, duhet thënë se Partizani dhe Flamurtari nuk e njohin shenjën “X” në Kupën e Shqipërisë. Këto dy skuadra nuk kanë barazuar në asnjë nga pesë ndeshjet e fundit që kanë luajtur në këtë veprimtari.
Ndërkohë, Skënderbeu dhe Laçi janë maksimalisht të sigurta për arritjen në gjysmëfinale pasi kanë fituar në ndeshjet e para dhe do të presin respektivisht Teutën dhe Luftëtarin.
Skënderbeu, që nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë, e kryeson kampionatin me 11 pikë avantazh, ka fituar 2-0 ndeshjen e parë ndaj durrsakëve, që kanë si prioritet Superligën, duke qenë se janë në vendin e parafundit.
Gentjan Begeja do të debutojë si trajner në stolin e Teutës, pasi Stavi Nica dha dorëheqjen, pas humbjes në shtëpi, 2-3 kundër Luftëtarit.
Këta të fundit do të presin Laçin, por i rëndon shumë humbja 3-0 në ndeshjen e parë dhe pavarësisht se në kampionat nuk e kanë provuar shijen e humbjes prej muajit nëntor, përmbysja ndaj ekipit të Mezanit duket një utopi./telesport/