Dita e sotme do të dhurojë dy finale për ekipet e futbollit të Shkodrës. Për koinçidencë do të zhvillohen të dyja në “Elbasan Arena”.
Njëra dihet, ajo në mes ekipeve të 19 vjeçarëve të Vllaznisë dhe Flamurtarit që do të diskutojnë titullin kampion për këtë grupmoshë.
Ajo do të startojë në orën 17.00 dhe padyshim që pritet me interes sepse ekipi fitues siç dihet, siguron edhe pjesmarrjen në “Uefa Youth League”.
Por nga ana tjetër po në Elbasan sot në orën 10.30 zhvillohet një tjetër finale, ajo e kupës “Coca Cola” për shkollat 9 vjeçare.
Ky është edicioni i pestë i kësaj Kupe që zhvillohet nga FSHF, Zyrat Rajonale të saj, në bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore të çdo qyteti.
Sipas skemës paraparake, ekipet fituese të 7 qyteteve, nxjerrin 8 skuadrat më të mira të cilat vazhdojnë garën me sistem eliminimi për fitimin e trofeut.
Në finalen e sotme do të përballet shkolla “Skënderbej” e Shkodrës me një shkollë të Elbasanit.
Për të mbërritur deri këtu, shkolla “Skënderbej” ka mundur shkollat “Ndre Mjeda”, “Ismail Qemali”, “Dëshmorët e Prishtinës” dhe në finalen e Shkodrës, shkollën “Ali Laçej”.
Në çerekfinale ekipi shkodran ka fituar ndaj shkollës “Musine Kokalari” të kryeqytetit dhe në gjysmëfinale shkollën “Kongresi i Manastirit” po të Tiranës.
Ecuria e ekipit të kësaj shkolle që drejtohet nga arbitri i njohur Ditmar Jubica deri më tani ka qenë e shkëlqyer me të gjitha fitore dhe me një golaverazh befasuese: 16-1.
Padyshim që ekipi i shkollës “Skënderbej” është pretendenti kryesor për fitimin e kësaj kupe dhe nëse ndodh kjo, do të ishte hera e dytë që ai do të shpallej kampion, duke qenë i pari që e arrin një gjë të tillë.
Duhet thënë se ekipet e shkollave të Shkodrës kanë dominuar edhe në këtë kupë sepse në pesë finalet e deritanishme, në 4 kanë dalë në finale dhe dy herë janë shpallur fitues.
Të shpresojmë që sot do të jetë hera e tretë që shkolla “Skënderbej” do të sjellë kupën “Coca Cola” në Shkodër.
www.shkodrasport.com