Ditën e sotme, në Pejë do të organizohet turneu madhështor i boksit “Kosovo Fight Night”, ku në këtë mbrëmje do të ketë boks profesionist dhe boks amator, përfshirë edhe një duel të boksit për femra. Në këtë turne boksi, do të ndeshen edhe dy boksierët e njohur shkodranë, Nelson Hysa dhe Arjon Kajoshi.

Në fakt, ajo që pritet më me shumë interes është ndeshja e boksierit shkodran, Nelson Hysa, i cili do të ndeshet për peshën super të rëndë kundër kroatit Marko Vuçiniç. Për Hysën, kjo do të jetë ndeshja e gjashtë rradhazi në boksin profesionist, teksa në pesë të parat ka realizuar vetëm fitore.

Boksieri shkodran me shumë përvojë, ka një muaj e gjysëm që stërvitet intensivisht për këtë përballje. Ndeshjen e fundit, Hysa e zhvilloi më 13-nëntor në Durrës ndaj anglezit të mirënjohur Danny Willimas, teksa arriti të fitojë ndaj tij. Megjithatë, nga ajo ndeshje, boksieri shkodran doli me një dëmtim në gisht, i cili në fakt e la pak kohë pa ndeshje atë.

Ndërkohë, vetë Nelson Hysa në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”, u shpreh se do të tentojë të marrë fitoren e rradhës, ndërsa theksoi se do ia dalë me sukses.

“Kjo është ndeshje ime e rradhës në boksin profesionist dhe padyshim që do të tentoj të marr fitoren e rradhës, edhe pse përballë do të kem një nga boksierët më të mirë kroat. Unë kam shumë besim se do të kem edhe mbështetjen e zjarrtë të shqiptarëve të Kosovës dhe jam i bindur se do ia dal me sukses”,-tha boksieri shkodran, Nelson Hysa.

Tashmë, Hysa do të rikthehet sërish pasditën e sotme në ring dhe do ta bëjë këtë gjë ndaj njërit prej boksierëve më të mirë profesionistë kroat, pikërisht ndaj Marko Vuçiniç, në takimin që do të zhvillohet duke filluar nga ora 17:00 në palestrën sportive në Pejë. Përballja e Hysës kundër kroatit Marko Vuçiniç është planifikuar të jetë e katërta në rradhë sipas kalendarit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe nga boksieri Arjon Kajoshi pritet fitorja në ndeshjen e sotme në peshën e mesme. Kështu, përballë tij do të jetë një boksier hungarez, ndeshje e cila sipas kalendarit do të jetë e shtata në rradhë. Megjithatë, vëmendja kryesore e opinionit sportiv, por jo vetëm, padyshim që pritet të jetë nga ndeshja e Nelson Hysës kundër kroatit Marko Vuçiniç.
Maringlen ZHIVANI