E shtunë, ora 17.00, të gjithë në stadium për një finale. Jo, nuk po flasim për kampionatin anglez apo atë italian, por për Kategorinë e Parë shqiptare dhe për një ndeshje që do të luhet në Pukë, mes Tërbunit e Korabit.
Është një nga ato ndeshje që vlejnë sa një sezon dhe nuk është ekzagjerim, sepse mbyllet sezoni, nuk ka më kohë për të korrigjuar asnjë gabim.
Tërbuni ka bërë shumë të tillë, e nisi dobët sezonin, nisi dobët edhe vitin e ri, por skuadra pukjane është Diesel, niset ngadalë dhe nuk ndalet më kur merr shpejtësi.
Në 6 javët e fundit skuadra e drejtuar nga Kreshnik Krepi ka prishur shumë llogari, nga ato të zakonshmet në futbollin shqiptar. Është mundur vetëm një herë, në Shkodër, në një sfidë mbushur me polemika.
Tani luhet në Pukë, aty ku Tërbuni po stërvitet prej disa ditësh dhe synon ta kthejë në fortesë të shtunën.
Nuk do të jenë 11 kundër 11, por mijëra pukjanë në ndihmë të djemve të tyre.
Nuk është kulmi i futbollit, në Shqipëri shumë njerëz nuk përfillin as Superioren dhe preferojnë futbollin e huaj në televizor, me ndonjë kafe e skedinë përpara, duke akuzuar për trukim edhe Barcelonën kur nuk fiton ndonjëherë.
Megjithatë, Tërbuni-Korabi do të jetë një ndeshje futbolli, e vërtetë, përtej cilësisë në fushë.
Tërbuni duhet të fitojë me çdo kusht, është koha që lapsi të hidhet në koshin e plehrave dhe të luhet ndeshja e vitit. Korabi e ka mundur dy herë këtë sezon, por pukjanët duan fitoren që vlen, atë që siguron mbijetesën.
“Është një finale, shumë e vështirë edhe psikologjikisht, por jemi gati. Nuk na lejohet asnjë gabim, kemi bere kaq shumë këtë sezon sa nuk na besohet që e shohin veten ende në garë për mbijetesë, por ky është futbolli.
Ka qenë një sezon i vështirë, plot probleme dhe vuajtje, plot prapaskena e lojëra të pista mes klubeve që bëjnë llogari dhe aleanca, pa harruar gjykimet, që janë një gangrenë në këto nivele, edhe pse të gjithë shohin vetëm Superioren”, deklaron drejtori sportiv i Tërbunit Oltijon Kërnaja, i cili u drejtohet edhe tifozëve, edhe pse e pranon se apeli i tij është i tepërt, sepse stadiumi do të jetë plot.
“Nuk është nevoja ta theksoj që tifozët do të jenë arma jonë për të siguruar fitoren e festës.
Nuk i kemi gëzuar shpesh në Pukë këtë sezon, por kemi dhënë gjithnjë më të mirën dhe premtojmë se do ta japim më shumë se 100% për t’ia dalë mbanë së bashku.
Është një nga ato ndeshje ku ia vlen të jesh në stadium, si tifoz dhe si pukjan me kulturë, duke i dhënë zemër skuadrës në çdo moment”./sport-ekspres/