Paraditen e sotme do të nisë nga Tirana edicioni i rradhës i kupës “Agim Tafili”. Çiklistët e të gjithë ekipeve të vendit do të marrin rrugën drejt Shkodrës ku do të përfundojë edhe etapa e para e saj në orët e mesditës.
Ekipi i Vllaznisë merr pjesë në këtë aktivitet të tretë të këtij viti me një ekip të plotë të përbërë nga 10 sportistë të cilët do të garojnë në të tre grupmoshat. Kështu me ekipin U23 do të garojnë sportistët Bruno Kola, Astrit Kronaj dhe Marçelo Kola.
Sakaq në kategorinë junior do të konkurrojnë Defrim Dholla, Gjergj Zefi dhe Samuen Bajrami ndërsa me kadetë do të konkurrojnë Mateo Balaj, Sidit Mlloja, Segest Meti dhe Servet Kastrati.
Sipas trajnerit Leonat Kola, me të tre këto grupmosha ekipi i Vllaznisë synon vendet e para. Çiklistët shkodranë kanë kohë që përgatiten për këtë aktivitet që zhvillohet në nderim të legjendës së çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, Agim Tafilit, të ndarë nga jeta shtatë vite më parë.
Sot është etapa e parë ajo Tiranë- Shkodër ndërkohë që nesër do të zhvillohet etapa e dytë dhe e fundit e kësaj kupe, ajo me itinerar Shkodër- Balldre- Vau Dejës- Gomsiqe- Shkodër, e gjatë 112 km.
© shkodrasport.com