Dita e sotme është e veçantë për ish- futbollistin dhe ish- trajnerin e Vllaznisë Ervis Kraja. Ai feston bashkë me njerëzit e tij të dashur 37 vjetorin e tij të lindjes.

Ervis Kraja ka lindur në Shkodër më 26 qershor 1983 dhe do të angazhohej shpejt me sportin, por duke “tradhëtuar” atë të babait të tij, Nefailit, një atlet i njohur i Vllaznisë dhe duke u angazhuar tel futbolli, lojë me të cilën ishin marrë dajat e tij. Duke qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Vllaznisë, do të shpallej edhe kampion me ekipin e të rinjve që drejtohej në atë kohë nga trajneri Ismet Hoxha.

Karriera e tij ka vazhduar me ekipin e parë, por shumë shpejt do të transferohej tek Besa e Kavajës e më pas në Greqi tek Iraklis. Do të vijonte më pas rrugëtimin e tij në Ukrainë ku do të luante për ekipin Zakarpattia, para se të kthehej në Shqipëri.

Do të luante përsëri me Besën, më pas më Skënderbeun, Teutën e Dinamon ndërkohë që do ta mbyllte karrierën tek skuadra e qytetit të tij të lindjes, Vllaznia.

Pas lënies së futbollit, nis detyrën e trajnerit teksa i besohet drejtimi i ekipit “Vllaznia B” që në momentin e krijimit të tij dhe e ka udhëhequr me shumë sukses për disa sezone, duke e ngjitur atë nga kategoria e tretë në të parën. Për një periudhë të shkurtër dy sezone më parë, Krajës do t’i besohej edhe drejtimi i ekipit të parë të Vllaznisë.

Ndërkohë prej pak kohësh, ai bashkë me familjen e tij është duke jetuar në Australi, vend ku po sheh mundësinë e bashkëpunimit me klube të ndryshe dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet edhe kontrata e re.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron Ervis Krajës edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe po ashtu edhe një karrierë të suksesshme si drejtues!
www.shkodrasport.com