Pas dy dekadash radhazi pa arritur ta fitojë, Partizani do të bëjë maksimumin këtë sezon për t’i shkuar deri në fund kompeticionit të Kupës së Shqipërisë. Interesant është fakti se që nga finalja ndaj Dinamos në vitin 2004, Partizani nuk ka arritur asnjëherë ta prekë finalen.
Madje edhe në gjysmëfinale ka shkuar vetëm tri herë, teksa çerekfinalet kanë rezultuar më së shumti fatale, pasi janë eliminuar 10 herë, ashtu siç ndodhi edhe në këtë sezon. Duhet thënë se derbi i fundit në Kupë regjistrohet në sezonin 2012-2013, kur Tirana eliminonte të kuqtë në raundin e 1/16-ave.
Dy skuadrat, që mund të konsiderohen si makthe të Partizanit në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend, janë Vllaznia dhe Laçi, që e kanë eliminuar nga tri herë. #
Me kurbinasit ndeshen sërish sot në një ndeshje që është fakt se peshon më shumë në anën e kuqe, pasi skuadra dhe vetë klubi janë nën presion për të shtuar trofe në kabinetin e vet. Aq më shumë Kupën, që në versionin e ri të saj nuk është prekur kurrë.