Dita e sotme do të jetë vendimtare për fatet e ekipit të Vllaznisë së femrave nëse do të kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve apo jo. Ashtu siç është bërë e ditur,Komisioni Disiplinor i UEFA-s do të mblidhet gjatë orëve të paradites për të dhënë vendimin përfundimtar në lidhje me ekipin grek PAOK që aktivizoi një futbolliste të pafederuar në ndeshjet e turit të parë të Ligës së Kampioneve.

Ky fakt u kontestua nga Vllaznia- femra dhe po ashtu edhe nga ekipi luksemburgas Bettembourg dhe delegati i institucionit të futbollit europian, pasi ka bërë verifikimet e duhura, ka paraqitur raportin e tij. Një raport të tillë ka paraqitur edhe eksperti i Komisionit të Etikës dhe tashmë pasi janë mbledhur të gjitha provat, pritet vendimi përfundimtar. Të gjitha gjasat janë për të dhënë një dënim për PAOK dhe kjo do të bënte që Vllaznia të kualifikohej për në turin tjetër të këtij kompeticioni të rëndësishëm. E vetmja gjë që mund të ndryshojë vendimin është ndërhyrja e faktorëve të tjerë dhe influenca e madhe që grekët kanë tek UEFA. Megjithatë shkodranet presin drejtësi sepse futbolli duhet të ketë drejtësi.

© shkodrasport.com