Opinion nga Redan BUSHATI

Si çdo shkodran tjetër, e ndjek me ankth ecurinë e Vllaznisë sonë. Në këtë mjerim ku është katandisur futbolli shqiptar, s’kish si të mungonte edhe Vllaznia, e cila paçka nivelit të futbollit shqiptar, ka prodhuar mjaft talentë. Nuk do të mjaftonin as këta të fundit, të cilët për hir të së vërtetës një pjesë e konsiderueshme kanë “shtegtuar” gjetkë, për të shpëtuar ditën e apokalipsit për Vllazninë. Sot nuk është koha të fajësojmë askënd. Me siguri secili nga ne do të radhiste shumë e shumë njerëz apo institucione përgjegjëse, të cilët e kanë çuar Vllazninë në këtë humnerë. Me këto pëgërat duhet të merremi gjithë së bashku njëherë tjetër. Edhe aq ndeshje sa kanë mbetur, secili sipas mënyrës së tij, duhet të japë kontributin, aq sa ka mundësi, për ekipin e zemrës, kuqeblutë tanë. S’duhet të reshtemi së përkrahuri, brohorituri dhe t’i thurim fjalë ku e ku më të mira atyre që luajnë në fushën e lojës. Me motiv të lartë dhe ambicie për të shpëtuar, ndoshta, edhe me praninë e fatit, mund të shpëtojmë Vllazninë e zemrës, nga një situatë që askush as në ëndrrën më të frikshme s’e kish parë, s’e kish menduar.  Vllaznia nuk është vetëm e Shkodrës dhe e secilit që e ndien veten shkodranë. Vllaznia është e Shqipërisë dhe krenaria e futbollit shqiptar. Asnjë aleancë antisport apo pengesë tjetër s’duhet ta rrëzojë Vllazninë. Kokën lart edhe aq ndeshje sa kanë mbetur: 9 ndeshje, 9 finale!