Duke qenë se Kategoria Superiore është në bojkot dhe Kategoria e Parë ende nuk ka startuar, klubet kanë nisur miqësoret në mënyrë që lojtarët të jenë në formë optimale para se të nisin 90-minutëshat që vlejnë.

Ndërkohë, nëpërmjet këtyre testimeve edhe trajnerët kanë mundësinë të shohin se në cilin repart çalojnë ekipet e tyre në mënyrë që më pas të bëjnë përforcimet e duhura në merkato.

Kështu, ditën e sotme janë tre miqësoret në program. Bylis-Vllaznia dhe Teuta-Kastrioti janë dy ndeshjet që ngjasojnë si sfida kampionati duke qenë se të katërta ekipet bëjnë pjesë në Superiore, ndërkohë një tjetër takim është edhe ai mes Skënderbeut dhe Besës së Kategorisë së Parë.

Ndërkaq, ditën e nesërme është planifikuar edhe një tjetër miqësore, ajo mes Tiranës dhe Dinamos në Selman Stermasi, me bardheblutë që do të zbresin në fushë para se të luajnë ndaj Jang Bojs më datë një tetor./VipSport/

Ndeshjet miqësore:

16:00 Bylis-Vllaznia

16:00 Teuta-Kastrioti

16:00 Skënderbeu-Besa