Takimi i luajtur pasditen e sotme në Shkodër në mes Vllaznisë dhe Kamzës, kishte ngjallur interes tek një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë. Por në mes tyre ka patur edhe një tifoz të veçantë. Bëhet fjalë për ish- trajnerin e kuqebluve, malazezin Dervish Haxhiosmanoviç.
Njeriu i tre trofeve në krye të Vllaznisë vijon të mbetet edhe një tifoz i zjarrtë i kësaj skuadre dhe shpeshherë ai merr rrugën nga Podgorica ku jeton drejt Shkodrës për të ndjekur ndeshjet e kuqebluve.
Kështu ka vepruar edhe ditën e sotme kur ai ka qenë në tribunën e “Reshit Rusit” për të ndjekur ndeshjen e Kupës. Ai është përshëndetur me tifozët e Vllaznisë që e njohin dhe i njeh mirë, ndërkohë që miku i tij, Agron Isufi nuk ka ngurruar të bëjë një foto bashkë me Haxhiosmanoviç dhe komentatorin Edmond Dibra dhe ta publikojë në profilin e tij.
“Deda” mbetet vërtetë i veçantë për mënyrën si e dashuron sërish edhe sot Vllazninë, skuadër me të cilën u lidh për herë të parë para 19 vitesh dhe me të cilën fitoi një titull kampion (2001), një Kupë të Shqipërisë (2008) dhe një Superkupë (2001).
© shkodrasport.com