Mund të duket e pabesueshme, por në fakt historia e dy personazheve që do përmendim më poshtë është mjaft e ngjashme. Bëhet fjalë për kampionin absolut botëror të Bodybuilding, Philip Heath dhe kampionin shqiptar, Xhulio Nikaj. Njëri në Amerikë, ndërsa tjetri shkodran i “huazuar” në Tiranë.

Me një gjenetikë për t’u admiruar dhe me muskuj të frikshëm, dy sportistët premtojnë shumë. Heath ka arritur gjithçka, ndërsa Nikaj është në hapat e parë të këtij sporti. Amerikani 39-vjeçar, ndërsa Xhulio është vetëm 22 vjeç.Vullneti dhe dëshira që e karakterizon, të bëjnë të besosh se shumë shpejt ai do të jetë në piedestal. Është fjalë pak dhe i pëlqen të punojë shumë.

I dashuruar përjetësisht me hekurat, Nikaj ka fillimisht një qëllim: Titullin kampion në Shqipëri. Vjet ishte në krye për të rinjtë, ndërsa pas disa kohësh, synon të ketë “nën sqetulla” gjithë rivalët në skenën e Bodybuilding në vendin tonë. Phil Heath është fitues i 7 titujve, “Mr Olimpia”. Pra, në pamje të parë janë shumë vite larg në trofe.

Por, ajo që i bashkon të dy këto sportistë është dëshira dhe vullneti për të qenë në krye. Të dy kanë një histori të ngjashme para se nisnin këtë sport që kohët e fundit po shndërrohet në trend në vendin tonë.

Phil Heath ishte basketbollist dhe e vijon karrierën me lojën e koshit derisa mbaron Universitetin për Administrim Biznesi. Kurse Xhulio ishte pjesë e Akademisë së Vllaznisë. I njëjti brez me Erald Çinarin dhe Arsid Krujën, Nikaj u vu re në fushë për potencën që e karakterizonte. Madje edhe sot një nga shokët e tij që luante në portë, tregon: “Kur i prisnim topat na digjnin duart. Ndërsa, në dimër as merrnim mundimin fare për t’ia pritur”.

Phil, pasi përfundimit të universitetit vendosi të provojë sportin e “Bodybuilding”, i cili është shumë më i zhvilluar se në vendet e Europës. Ndërsa Xhulio, pasi mbaroi gjimnazin, pa se ishte tepër e vështirë të vijonte lojën më të bukur në vendin tonë, futbollin.

Pas një aventure thuajse 10-vjeçare me moshat e Vllaznisë, djaloshi prej Shkodre vendos të heqë dorë. Vari këpucët në gozhdë, por nuk hoqi dorë nga sporti. Arsyeja? Për të mos humbur muskujt e barkut, në ditën e parë që la futbollin, Xhulio nisi palestrën.

Saktësisht para 3 vitesh ai filloi të stërvitej. Dalëngadalë pa që format e tij nisën të ndryshojnë. E bashkë me ndryshimin fizik, lindi një dëshirë e re në mendjen e tij. Në një nga kampionatet e zhvilluara në kryeqytet, Xhulio ishte i pranishëm si spektator. Prej asaj dite, ai vendosi që të ishte vitin e ardhshëm në skenë. Ia arriti.

Nuk u mjaftua me vetëm: “Rëndësi ka pjesmëarrja”, por u shpall kampion për të rinjtë. Synimet e tij janë të mëdha dhe vullneti që e karakterizon e bën të kalojë përtej oqeanit. Philip Heath për atë është një ëndërr, megjithatë për Shqipërinë, pas disa vitesh mund të kemi edhe ne një të tillë, por me emrin Xhulio Nikaj. Le të presim. Shpeshherë ëndrrat bëhen realitet. /Newsport/