Luçiano Spaleti i shkel syrin Juves. E bën hapur fare, madje duke i lëshuar disa shigjeta edhe trajnerit të bardhezinjve, Alegri. “Te Napoli kalova një periudhë të shkëlqyer dhe ajo që arritëm ishte e jashtëzakonshme.
Kisha nevojë për të bërë pak pushim, por ju të medias nuk besoni asnjëherë. Duhet të gjeni patjetër diçka që të bëjë lajm. Ua pata thënë: thjesht dua kohë që të sistemoj disa gjëra në jetën time. Koha kalon, kemi nevojë edhe të pushojmë pak”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Napolit.
E ARDHMJA – Spaleti i ka lënë të hapura mundësitë që të transferohet te Juvja, edhe pse e ka konsideruar abuzive hipotezën se ai do të marrë drejtimin e gjigantëve torinezë vetëm, sepse aty ka shkuar drejtor sportiv Xhuntoli.
“Nuk është e thënë patjetër që duhet të drejtoj patjetër një projekt gjigant dhe shumë special. Mjafton të më pëlqejë dhe të më tërheqë. A mund të shkoj te Juventusi? Është një pyetje shumë e vështirë për t’iu përgjigjur tani. Por mund të them se këto hipotezat që “meqë aty është Xhuntoli drejtor i ri, do jem edhe unë trajner”, më duken mjerane. Po, po mjerane. Bëjnë artikuj me deduksion logjik, pa asnjë bazë. Për mua e rëndësishme është që të dyja palët ta duan shumë një projekt dhe të kenë besim tej njëri-tjetri. Njësoj siç ndodhi në Napoli, ku tifozët me përqafuan që në fillim dhe më mbështetën pa kushte mua dhe skuadrën”, shtoi trajneri.
KUNJ ALEGRIT – Spaleti nuk e ka kursyer kolegun e tij, Alegri. “E dimë të gjithë që futbolli luhet thjeshtë dhe i dimë rregullat bazë të tij, por ama futbolli ka edhe pasion, ka edhe emocione dhe momente që të bëjnë të ngelesh në histori. Mënyra se si luajtëm në Napoli dhe se si e fituam atë titull më ka dhuruar një gëzim të paparë. Nuk mundet të mjaftohesh vetëm me rezultatin. Futbolli është edhe emocion. Duhet të gjejmë mënyrën për të mbajtur gjallë futbollin që na kanë lënë trashëgimi Viali, Mançini, Baxho, Del Piero dhe Toti. Unë parapëlqej atë stil, para futbollit të thjeshtë (i referohet batutës së Alegrit)”.