“Ata ishin shumë të fortë dhe fituan me meritë”. E pranoi pa asnjë mëdyshje trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, pas disfatës kundër Spanjës në ndeshjen e dytë të Euro 2024.

“Diferenca ishte freskia, ne shpesh bënim lexime me vonesë të lojës. Çelësi i problemit është se ishim nën nivel në reagim dhe për të rifituar pozitat, na krijuan probleme për shpejtësinë e zgjedhjeve. Kur futa lojtarë më të freskët u rikuperuam në intensitet dhe krijuam situata për të barazuar. Kroacia? Varet se si shkojmë në atë ndeshje.”

Diferenca të dukshme: “Kishte shumë dallime, nuk mund të flasim për asgjë tjetër. Nëse nuk ke të njëjtën këmbë si të tjerët, nuk mund të bësh zgjedhje me të njëjtën shpejtësi. Kur je përballë një kundërshtari cilësor, atëherë humbet çdo mundësi reagimi. Përtej cilësive teknike mbi mesataren e Williams dhe Yamal, në përgjithësi kohët e reagimit ishin të ndryshme. Ne ishim viktimë e agresionit të tyre, duke humbur shumë pasime të lehta.”

Mungesa e freskisë: “Të gjithë do të dëshironin të kopjonin Spanjën. Ata kanë luajtur mirë për një kohë të gjatë. Unë duhet të jem në gjendje t’i bëj njerëzit të kuptojnë rëndësinë e lojës në kushte të barabarta. Duhet të përmbysësh konceptin e skuadrës dhe të mos ua lësh gjithmonë topin të tjerëve. Kishim më pak freski në këmbë dhe ata meritonin të fitonin. Pavarësisht rezultatit, ne nuk ishim kurrë në lojë dhe vetëm në njëzet minutat e fundit krijuam diçka për të konkurruar me një futboll të këtij niveli.”