Luciano Spalletti prezantoi ndeshjen e parë çerekfinale të “Nations League” kundër Gjermanisë, duke nisur nga mungesa e Reteguit dhe zëvendësuesit e mundshëm. “E kthyem në shtëpi, sepse nuk do t’ia dilte, – tha trajneri i Italisë në konferencën për shtyp.
– Nuk ka një problem të mirëpërcaktuar. Për momentin nuk thërras askënd si zëvendësues, sepse dua të shoh si do të shkojë ndeshja e parë. Nëse do të thërras një sulmues të parë, do të thërras Piccoli. Nëse më duhet një sulmues i dytë, do të thërras Baldanzi”.
Për golat dhe taktikën: “Duhet t’i bëjmë gjërat në mënyrën më logjike të mundshme, duhet të kemi pak ekuilibër. Nëse fus një mesfushor, ai ndihmon më shumë në fazën mbrojtëse. Nëse fus dikë si Raspadori apo Maldini, kemi më shumë shanse për të shënuar. Raspadori, për shembull, edhe pse është sulmues, mund të ndihmojë në mbrojtje, sepse është në formë të shkëlqyer”.
Për përballjen me Gjermaninë: “Duke parë historinë e përballjeve dhe rezultatet e së kaluarës, kjo ndeshje ka një magji të veçantë. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e bukur, që të dyja ekipet do të luajnë për ta fituar. Nëse nuk jemi të zotët në menaxhimin e disa momenteve të lojës, do ta kemi shumë të vështirë. Do të përpiqemi të luajmë lojën tonë, por do të duhet të përshtatemi edhe me cilësinë që ata do të tregojnë”.
Për mesfushën (Ricci-Rovella): “Janë pak të ndryshëm, por të dy e dinë si të luajnë futboll. Ricci është më shumë si një mesfushor i avancuar, që futet në zonë. Rovella është më shumë një mesfushor mbrojtës, i cili nuk lëshon terren lehtë. Nuk do të them se kush do të luajë, është më mirë të presim orët e fundit para ndeshjes”.
Për përgatitjen e skuadrës dhe kualifikueset e Botërorit 2026: “Djemtë më duken të bindur për cilësitë e tyre, po përpiqen t’i shfaqin ato në fushë. Mendojnë shumë për atë që duhet të bëjnë, kjo është mënyra e duhur për t’u rritur. Nëse punon vazhdimisht në një drejtim për t’u përmirësuar, atëherë do të përmirësohesh me siguri”.
Për lojtarët e dëmtuar: “Zaccagni dhe Cambiaso vështirë se do të jenë gati për ndeshjen e parë”.
Për Federico Gatti: “Po e shohim në kontekstin e dy ndeshjeve. Duke qenë se janë shumë afër me njëra-tjetrën, disa lojtarë mund të mos rikuperohen plotësisht. Ai është një mbrojtës shumë i fortë në mbrojtjen e vendosur, por po punon edhe për të kontribuar më shumë në ndërtimin e aksioneve”.
Për Andrea Cambiaso: “Fakti që është këtu dhe po punon çdo ditë tregon se sa shumë dëshiron të jetë pjesë e ekipit kombëtar”.
Për Julian Nagelsmann: “Është një trajner shumë i zoti, i dallueshëm si pjesë e trajnerëve modernë, që punojnë shumë në fushë. Gjermania është një kombëtare që ka evoluar në këto 10 vitet e fundit, nga një skuadër që mbështetej te fuqia fizike, në një skuadër me cilësi teknike dhe posedim të fortë të topit”.
Për mungesat e Gjermanisë: “Nuk ka mungesa që ndihen për një kombëtare si Gjermania. Ata kanë lojtarë të shumtë të nivelit të lartë”.
Për Moise Kean: “Do të jetë ai sulmuesi kryesor. Do të jetë një ndeshje e fortë, me ritëm të lartë, Kean është më i përshtatshmi për këtë lloj loje”./telesport/