Ardhja e Lafatas nga Jabloneci në merkaton e janarit bëri që për Bekim Balën të mos kishte më hapësira aktivizimi te Sparta e Pragës. Mirëpo, edhe pse në media u tha se sulmuesi shqiptar mund të jepej në huazim te Mllada Boleslav, kjo nuk ndodhi, pasi vetë Bala nuk pranoi që të largohej nga skuadra. Kësisoj, drejtuesit vendosën që ta mbanin në organikë, por ai të luante në fundjavë te skuadra e dytë, Sparta Pragë B, e cila militon në kategorinë e tretë në Çeki. Lojtari shqiptar është aktivizuar në tri ndeshjet e këtij viti: Sparta Pragë B-Pisek 2- 2, Sparta Pragë B-Hlavice 9-0 dhe Horni Mesholupi-Sparta Pragë B 1-1, në të cilat ka shënuar katër gola. Në takimin e parë ai ishte autor i një goli, ndërsa tek fitorja me goleadë shkodrani sigloi një tripletë. Vetëm në takimin e fundit ai nuk arriti të shënonte. Këtë javë ndërkaq, më 31 mars, Sparta Pragë B do të presë në shtëpi kryesuesen e kampionatit, FC Kunice, e cila në 20 javë ka grumbulluar 39 pikë. Ndërsa Sparta e Pragës B renditet në vend të 6-të me 31 pikë.