Ditën e djeshme nëpërmjet faqes zyrtare të Spartës së Pragës është mësuar edhe vlerësimi për disa futbollistë që u aktivizuan gjatë fazës së parë në këtë skuadër. Midis tyre bënte pjesë edhe sulmuesi shkodran Bekim Bala, paraqitjet e të cilit janë vlerësuar pozitivisht. Bekim Bala u transferua nga Tirana te Sparta në muajt e verës, duke bërë kështu një hap të rëndësishëm në karrierën tij. Gjatë pjesës së parë të kampionatit, sulmuesi shkodran nuk është aktivizuar shpesh, por për minutat që ai ka qenë në fushën e lojës, ai është vlerësuar si një lojtar i rëndësishëm për ekipin e njohur çek.

Impenjimi i tij në seancat stërvitore ka rënë në sy të trajnerit të Spartës, ndërsa Bala në kampionat është aktivizuar në 12 ndeshje dhe ka arritur të shënojë tre gola, pikërisht ndaj Slovakos, Hradec Kraikov dhe Teplices, me këta të fundit realizoi në minutën e 84-të, duke i dhënë tri pikë skuadrës së tij. Gjithashtu, lojtari i përfaqësueses sonë ka arritur të shënojë edhe një gol në Europa Ligë ndaj Atletiko Bilbaos.

www.shkodrasport.com