*Nga Pjetër Guraziu te Filip Guraziu, babë e bir, në një tregim historik që përshkohet nga tragjedia te drama.

*Një zbulim i mbas 93 vjetëve, që i bën nder të madh sportit shqiptar

1. Për ndokënd ndoshta mund të duket si diçka e habitshme: një martir që është edhe rekordmeni i parë i sportit të një kombi!

Në të vërtetë, në këtë titull të këtij shkrimi apo në këto tetë fjalë të tij, gjithçka është sa e natyrshme, po aq dhe e vërtetë.

Ndonëse ajo sapo vërtetohet përmes këtij tregimi të herës së parë të këtij viti 2018. E çuditshme është se si ka qenë e mundur që deri më sot, më 2018 pra, kjo e vërtetë ka mbetur e panjohur, e pa ditur, e pafiksuar.

E prapë nuk duhet të çuditemi. Historia në Shqipëri, ajo e sporteve në veçanti, ende ecën tejet ngadalë, si diçka e dorës së dytë, me të pavërteta të pafund, me tregime naive, me shpërndarje afirmimesh, të pamerituara madje.

Deri aty, sa një historiani profesionist të ndershëm, i duhet veç të ndreqë pa ndalë sjelljet brutale të shkruesve të pandërgjegjshëm, të cilët për çudi vazhdojnë të mbushin faqet e gazetave.

E ndiej edhe veten disi fajtor që vetëm sot, më 2018, zbulohet se një martir është dhe rekordmeni i parë i sportit shqiptar.

Në të vërtetë, ai është rekordmeni i parë i vetëm një sporti, atletikës së lehtë shqiptare. Mirëpo, ky është njëkohësisht edhe rekordi i parë i dokumentuar, që ne kemi për të gjitha llojet e sporteve tona.

Emri i tij është Pjetër Guraziu. Një intelektual i shquar i Shqipërisë, i pushkatuar pa asnjë faj prej regjimit komunist së bashku me 21 martirët e tjerë për shkak të të ashtuquajturit atentat përmes bombës së lëshuar mbi Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë, më 1951.

Ngjarje kjo, e njohur fort mirë prej popullit shqiptar, të cilën historianë profesionistë e kanë përimtuar deri në detaje.

Vllaznia 1967. Për herë të parë Kampione e Shqipërisë. Nga e majta: Zyhdi ÇOBA, Nikolin PALI, Agim LAHI, Luan SHATKU, Nikolin KOVAÇI, Dhimitër TAÇI, Petrit OSMANI, Asllan GJYREZI, Renato RADOJA, Roland KOKA. Mungon protagonisti i fazës së parë të kampionatit, kampioni Filip GURAZIU, të cilit persekutimi politik ia ndaloi vazhdimësinë.

Pjetër Guraziu është njeri prej këtyre martirëve. Ai është babai i një shoku tim të hershëm, të fillimit prej brezit tonë të gjimnazit të Shkodrës, Filip Guraziu – gjithashtu një nga sportistët më të mëdhenj të Shqipërisë.

Mban emrin e babës së Pjetër Guraziut, pra gjyshit të tij, Filip Guraziut, që po e quajmë të parë.

E nëse Filipi i sotëm quhet Filip Pjetër Guraziu dhe babai i tij quhet Pjetër Filip Guraziu, kjo është një bashkësi trashëguese fisnike përkujtimore emrash familjarë – çka Shkodra qytetare e ka pasë stil kujtese të një nobiliteti.

E, vetvetiu, më duket se, si të thuash, edhe në përmbajtjen gjenetike, kjo dyshe babë e bir – ka një lloj afërsie krejt origjinale.

Afërsia tjetër mandej është se shoku im, Filip Guraziu, ka edhe ai një jetë krejt të pazakontë.

Përveç profesionit të tij universitar si mësues i matematikës, falë talentit të tij të spikatur si basketbollist, përmes trazimeve e dënimeve të rënda – të cilat ai diti t’i përballonte me stoicizmin e tij – ia arriti të mbijetonte.

Për t’u ngjitur, madje, si në një përmbysje të historisë deri në kryetar i Bashkisë së Shkodrës…

2. Vitin që shkoi më kanë ikur disa përvjetorë të mëdhenj të sportit shqiptar. Më ka ikur 50- vjetori i fitimit të titullit të parë Kampion i Shqipërisë (1967-2017) i Vllaznisë së Shkodrës.

Nuk ka qenë një ngjarje asisoj e thjeshtë. Ajo ka qenë një ngjarje krejt e jashtëzakonshme, ndër më të rrallat e historisë së sportit shqiptar.

Më në fund, mbas mbi një dhjetëvjeçari të rrallë të tij, me “tituj” të Kupës e të nënkampionit të Shqipërisë, basketbolli i Shkodrës ia arriti që më 1967, përmes Vllaznisë së tij, të fitonte titullin e tij të parë të Kampionit.

Çuditërisht, një Më të mëdhenjtë: Ata që bënë historinë e sportit shqiptar Martiri PJETËR GURAZIU – Rekordmeni i parë i Shqipërisë titull i fituar, si të thuash, “në natyrë”, jashtë pra, në të ashtuquajturin, këndi sportiv “Spartak” i Shkodrës, që mbante në tribunat e tij të brishta e në radhët mbrapa kufirit të metaltë, deri edhe në 4000 spektatorë!

Njeri prej protagonistëve më të spikatur të kësaj ngjarjeje e ka emrin Filip Guraziu.

Ka qenë një dhjetëvjeçar i rrallë (1957-1967), prej të cilit edhe autori i këtushëm si nxënës i gjimnazit të Shkodrës (1956-60), ndërtesa e të cilit përbënte kufirin e lartë të pjesës perëndimore të këndit “Spartak”, kujton me nostalgji ngjarje të pashlyeshme sportive.

Nuk mund të përshkruhet sot se çka kanë qenë të dielat e këndit “Spartak”, aty, mû në mes të Shkodrës. Një Shkodër tejet e drobitur, e lodhur, e lënë mbasdore, por duke qenë se ishin vetëm pak vite nga Shkodra e paraluftës, ajo e ruante ende qytetarinë e saj dhe “xhiro” e Piazza-s nuk mund të ndalohej.

Treshja e madhe e 17 Nëntorit të Tiranës dhe e basketbollit shqiptar, nga e majta: Bujar Shehu, Vaso Shaka, Filip Guraziu

E po ashtu, nuk mund të ndaloheshin as 4000 spektatorët në këndin “Spartak”. Ishte një çlodhje e rrallë, e papërshkrueshme.

Një harrim i halleve të mëdha të një qyteti, ashtu si edhe të një populli të tërë. Të dukej se varfëria dhe izolimi shndërroheshin në pasuri dhe në liri vetëm në ato tri orë të këndit “Spartak.

Sepse tri orë ishin. Më parë, ndeshja e basketbollisteve femra, mandej ajo e meshkujve. Kohët e fundit, Federata Shqiptare e Basketbollit ka botuar një album të mrekullueshëm kushtuar basketbollit, çka është për t’u marrë shembull dhe për t’u përgëzuar.

Sidomos presidenti i saj, Avni Ponari, por dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Korab Llazani. Në të gjendet një foto historike. Është pesëshja e basketbollit të Vllaznisë të viteve ’50: Esat Haxhi, Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, Skënder Osmani.

Them se historia e basketbollit shqiptar, pesëshe më monolite, më të pandryshueshme, më të harmonizuar se kjo, nuk ka pasur.

Natyrisht, mbas saj kanë ardhur pesëshe shumë më të mira, sidomos të Partizanit e të 17 Nëntorit (SK Tirana e sotme), por edhe te vetë Vllaznia e mbastejme.

E megjithatë, veçanësia e këtyre pesë sportistëve të mëdhenj të Shqipërisë, të pestë kombëtaras si lojtarë e trajnerë, meriton piedestalin.

Sidomos për sa i përket origjinalitetit të lojës të një kompaktësie. që meriton të studiohet edhe sot. Mjafton të them vetëm një dukuri, që mund të jetë edhe një rast botëror: ndodhte që për 40 minutat e lojës, ata të fitonin një ndeshje pa u ndërruar gati asnjëherë!

Madje, të duartrokiteshin fort edhe nga bashkëlojtarët e tyre të mirë “të stolit”, si Ali Quku e Beqir Sekuj, Sandër Laca, Malo Zhabjaku e Ndrekë Gjini, teksa po mbërrinte talenti i Valter Kalasë.

Me një mungesë shembullore: i afërti i pesëshes së parë, Qemal Tafilica, i cili kishte marrë arratinë me ikjen e tij të guximshme jashtë kufijve të Shqipërisë.

Në krye të tyre ishte pedagogu ynë i gjimnazit, kapiteni- trajner Esat Haxhi. Mandej kombëtarasi i një teknike fine Muhamet Sokoli, një shkodran “doc”, siç thonë latinët, por i cili vinte prej ngjyrave të Punës (17 Nëntorit) të Tiranës e të Partizanit.

Kur mbërrij mandej te kombëtarasi tjetër Vehbi Ademi, gjej universalin elegant – volejbollist e basketbollist i rrallë.

Dhe e mbyll me dyshen e më të rinjve, në fakt dy kolosëve, sepse 1.88 apo 1.90 metra shtatlartë- si, çka ishin ata, asokohe quheshin kolosë.

E kam fjalën për Luan Shatkun e madh – ndoshta modeli i parë i një qendre të basketbollit në Shqipëri dhe Skënder Osmanin – shtatlartit shënues krejt origjinal dhe përherë bllokues unikal i lojtarit më të mirë kundërshtar.

Këta dy të mëdhenj janë themeluesit e lojës me dy qendra të basketbollit në Shqipëri, që çarmatoste dhe habiste të gjitha skuadrat e asokohe.

Nuk ka dyshim se fundi i viteve ’50 ka sanksionuar themelet moderne të basketbollit shqiptar, sado modest që ai të ketë qenë.

Emrat anekënd qyteteve kryesorë janë të paharrueshëm. Dhe tregimi ynë, kësisoj, pak si ngadalë, po shkon për të mbërritur për te Filip Guraziu, në të vërtetë te Pjetër Guraziu, të cilët nuk po mund t’i ndajë assesi.

Babë e bir, që natyrisht u përkasin epokave krejt të ndryshme…

3. Për titullin e Shkodrës së basketbollit – Kampione e Shqipërisë, do të duhej të prisnim vitin 1967… Ajo është një histori sa e bukur, por po aq edhe “kapricioze”. E me rastin e Filip Guraziut, ajo shkon përtej dramatikes!…

Vllaznia e basketbollit 1967 do të ishte një kampione shkodrane, e cila si në asnjë sport tjetër, Shkodrës do t’i mbërrinte prej basketbollit të kryeqytetit.

E gjitha kjo mund të themi se është rrëmbimi i parë dhe i vetëm sportiv i Shkodrës ndaj Tiranës, në një kohë që kryeqyteti ynë “pa mëshirë” rrëmbente për vit talentet e Shkodrës, madje thuajse në të gjitha llojet e sporteve.

Kjo histori basketbolli është një histori që ka një prolog. Pesëshja për ne mitike, e mësipërme, në fillimet viteve ’60 do të jetë në largim e sipër.

Por ndikimi i saj kishte mëkuar brezin tjetër. Emrat që vijnë janë edhe ata thuajse të gjithë kombëtaras të Shqipërisë.

Valter Kalaja – i pari që rridhte falë asaj pesëshe. Do të lidhej me shokun tim të fëmijërisë, të gjimnazit e përtej, me Petrit Osmanin pra, i cili do të bëhej trajneri më fitimtar i Vllaznisë – vëlla i Skënderit të madh.

Dhe me radhë Zyhdi Çoba, Asllan Gjyrezi, Angjelin Shiroka, Nikolin Pali, Nikolin Kovaçi…

Filip Guraziu i Kombëtares së Shqipërisë

Do të ishin e ardhme e siguruar. Ishin shokët tonë, të brezit tim – çka për ta, ne përbënim “tifozët” më besnikë.

E unë, që tashmâ e kisha lënë Shkodrën, natyrisht si sa e sa të tjerë, në Tiranën e Stadiumit zâmadh “Studenti”, do të kënaqesha me bashkëqytetarët e mi, Renato Radojën, Bujar Golemin, Filip Guraziun apo dhe me Vladimir Gjurbën, që i kishte “blerë” 17 Nëntori i Tiranës së sendërtuar prej mjeshtrit të mjeshtrave Feti Borova.

Të dukej se basketbolli shqiptar kishte dy Shkodra: një në Shkodër e një në Tiranë. Unikale për historinë e basketbollit shqiptar, basketboll që në modernen e tij niste me një Fatmir Mekë – më moderni prej të gjithëve e që do të mbërrinte deri te një Vaso Shaka, te një Bujar Shehu e një Kosta Papa të prirë prej të fundit të Mohikanëve, kapiteni i paharrueshëm Dhimitër Papa – po ashtu mik i madh i imi.

Këtij kryeqyteti të jashtëzakonshëm basketbollistik, pak më vonë vulën do t’ia vinte i madhi i të mëdhenjve me emrin Agim Fagu. Por jemi në vitin 1967 dhe vitet e mëpasme të fuqishme të një brezi të jashtëzakonshëm, ende nuk kishin mbërritur.

Vitet ’60 po merrnin udhë vrullshëm, megjithatë. Kur papritmas, prapë kryeqyteti – shkollë më vete e basketbollit shqiptar – që nuk kënaqej me kaq.

Sa në futboll, po aq dhe në basketboll. Edhe këtu “brutaliteti” i Partizanit, i cili rrëmben Luan Shatkun e Petrit Osmanin, me të cilët më 1964 shpallet kampion i Shqipërisë.

Kur sapo i teket edhe Dinamos të bëjë basketboll duke pasë pjesë të saj shkodranin tjetër të përvojës së madhe të Vllaznisë, Skënder Osmanin, tashmâ veteran, dhe i cili i jep kësaj Dinamoje të re, atë që i mungonte: pjekurinë.

Papritmas edhe Shkodra kërkon të sajtë. Kthehet ing. Bujar Golemi i 17 Nëntorit, i cili përveçse si lojtar, do të jetë trajneri historik i Vllaznisë.

Dhe do t’i rirrëmbehet Partizanit “mbreti” i basketbollit, Renato Radoja, por dhe befasia e befasive: protagonisti ynë, Filip Guraziu. Kthimi i kësaj tresheje kampione nëntorase: Golemi – Radoja – Guraziu në Shkodër, është një nga çuditë më të vetme dhe më befasuese në sportin shqiptar madje.

Kështu, kur askush nuk e mendonte, Vllaznia po kthehej nga e rrëmbyer në rrëmbyese. Më 7 mars 1965, në Tiranë duket se zhvillohet ndeshja më alarmuese se kurrnjiherë: Vllaznia fiton 79-75 me Partizanin. Vështroni pesëshet se cilat janë:

PARTIZANI: M.Përmeti, L.Shatku, P.Osmani, K.Papa, J.Baho.
VLLAZNIA: B.Golemi, R.Radoja, F.Guraziu, A.Gjyrezi, N.Pali.

Nga 10 lojtarë plot 7 janë shkodranë, sepse janë të tillë edhe dy prej tyre të Partizanit: “ushtarët e popullit” Luan Shatku e Petrit Osmani.

E, Vllaznia e ka skuadrën për titull më pranë se kurrnjiherë. Ndonëse i mungojnë pra, dy “partizanasit” e saj, Shatku e P.Osmani. E edhe pa to titulli është tejet afër. Dramaticiteti i kampionatit mbërrin kulmin e tij. me 17 Nëntorin kryesues.

Mirëpo, më 6 qershor Vllaznia fiton ndaj kryesueses në Shkodër 58-56. Pesëshet janë këto:

VLLAZNIA: Radoja, Pali, Gjurba, Guraziu, Gjyrezi.
17 NENTORI: Shaka, Bumçi, Shehu, Kasmi, Topalli

Vllaznia 33 pikë, 17 Nëntori 33, Partizani 31, Dinamo 30. Kishte vite që në basketbollin shqiptar nuk qe parë kjo baraspeshë.

Skuadrat e Shkodrës dhe të Tiranës barazohen në 33 pikë secila, kryesuar prej Vllaznisë falë një koshaverazhi më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër Federata e Shqiptare e Basketbollit.

Dhe vendos: ndeshje e tretë për titullin. Për fatin e keq me një anësi të papame. Më 1957, Vllaznia dhe 17 Nëntori kishin përfunduar po kështu, me pikë të barabarta, por ndeshja për titullin qe zhvilluar në qytet asnjanës, në Durrës, në parkun sportiv “Nako Spiru”.

Kishte fituar 17 Nëntori. Por tash, Federata bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos njëanshmërisht që finalja të zhvillohej në Tiranë.

Ngjarja ka vend më 13 qershor 1965 dhe 17 Nëntori, që dihej, kishte një skuadër mjaft të denjë, në fushën e vet, para publikut të vet, nuk e ka të vështirë të fitojë ndeshjen 74-63 dhe titullin e Kampiones së Shqipërisë. Titulli shkodran do të vononte ende…

4. Aventura e këtij titulli do të niste vetëm mbas një viti, më 1966-ën. Ndërkaq, Shatku e P.Osmani të Partizanit priten të kthehen.

E me ta edhe Çoba i Universitetit. Gjithçka nis më 25 shtator 1966. Fitoret shkodrane nuk ndalin: Vllaznia – Luftëtari 84-42, Dajti – Vllaznia 47- 106, Vllaznia – Universiteti 67-57, Dinamo – Vllaznia 61-64, Labinoti – Vllaznia 41-64, Mbi të gjitha Vllaznia – 17 Nëntori 76-59!

Pesëshja shkodrane është e rrallë: Radoja, Shatku, Lahi, P.Osmani, Guraziu.

Të gjithë shkodranë, por me një ndryshim: Tre prej tyre të tre të Kombëtares së Shqipërisë, Renato Radoja, Agim Lahi dhe Filip Guraziu ishin rritur, formuar dhe ishin bërë me kohë Kampionë të Shqipërisë nën fanellën 17 Nëntorit.

Kurrë nuk do të ndodhte në historinë e sportit të Shkodrës, që një Vllazni e tij të fitonte një titull të Kampionit, duke pasur 60 për qind të një formacioni të saj me sportistë të ardhur prej një klubi tjetër!

Si ia kishte arritur, pra, Shkodra – e nënshtruara e hershme e trysnisë rrëmbyese kryeqytetase dhe ministrore në të gjitha fushat e jetës – t’i merrte për vete këta tre yje?

Treshen e Tiranës, këtë Radoja – Guraziu – Lahi? Ishte një forcë befasuese, të cilën sporti shkodran me futbollin do ta përfitonte vetëm në fillim të viteve ’70 me rikthimet e talenteve të tij të shfrytë- zuar prej kryeqytetit. Rragami, Zhega, Bizi…

U përmend një emër: Prof. Hamit Beqja – pionier i basketbollit të Shkodër, por tashmë me një funksion të rëndësishëm në Komitetin Qendror të PPSH.

Pedagog liberal, sportdashës i spikatun, asokohe edhe një ndër krerët e Federatës së Basketbollit – i cili me dinakëri do të shfrytëzonte sa popullaritetin, po aq edhe funksionin.

Kështu, përmes “mbrapaskenave” tejet tërheqëse që ia gatuante mendja e një njeriu me emrin Rifat Uruçi, gazetar sportiv ndër më të shquarit në Shqipëri, por dhe punonjës i klubit Vllaznia, komitetqendrorasi i mençëm, me sa dukej, kishte dy vjet që ëndërronte të përgatiste rikthime për Vllazninë.

Ndërkaq, papritmas , më 13 nëntor 1966, Partizani fiton 53-47 në Shkodër, teksa një skuadër tejet e bukur e Durrësit, Lokomotiva e treshes Hercek – Dollani – Profkola kryeson kampionatin së bashku me Partizanin dhe Vllazninë në vendin e tretë me 1 pikë më pak.

Dhe mû në këtë çast nis një dramë tjetër. Tash më shumë se sportive. Është drama e një politike të pamëshirshme. Siç do të ishte për Shqipërinë vetë viti fatal 1967…

Krejt papritmas, kur nis periudha e dytë e Kampionatit, te skuadra shkodrane mungon emri i një prej protagonistëve më të parë: Filip Guraziu!

Ky është çasti po fatal kur një regjim i pamëshirshëm rifillon hakmarrjen kriminale. Protagonisti i parë, dihej, kishte qenë një martir: Pjetër Guraziu.

Protagonisti tjetër është një universitar i matematikës, sportist ndër më të mirët e Atdheut të tij, biri i martirit: Filip Guraziu. Lufta, gjithnjë në përtëritje, ajo e klasave!

Vite më vonë, më 1990, gazetari i mirënjohur, Namik Mehmeti, do të botonte në “Sportin” që drejtoja, një shkrim të shkëlqyeshëm me titullin kushtuar Filip Guraziut.

Po shkëpus këto radhë, që janë thënie të vetë Filipit të botuar në atë shkrim; “… Ishte një ditë stërvitje, mbas dreke. Shokët i gjeta të grumbulluar së bashku me Esatin, trajnerin tonë. Të gjithë pa humor.

Diçka duhej të kishte ndodhur, por nuk më shkonte mendja te ndonjë fshesë. Kur dëgjova fjalët e mësuesit tim, Esat Haxhi, që nuk fliste, por belbëzonte, e kuptova se isha i dëbuar…”. Drejt e në Dukagjin.

“Streha e intelektualëve të dëbuar. Më- sues, mjekë, ekonomistë. Pra dhe basketbollisti Filip Guraziu, duhej të shtegtonte Alpet për të provuar izolimin shpirtëror, ndrydhjen e shpirtit e të talentit”.

Në të vërtetë, ai ishte kampioni Filip Guraziu. Kishte luajtur gjithë periudhën e parë të Kampionatit. Përmes shkrimit të Namik Mehmetit më flet Filip Guraziu: “..Zbrita nga Dukagjini atë ditë të shpalljes së Vllaznisë kampione.

Një atmosferë elektrizuese në Këndin ‘Spartak’. Dorëzohej Kupa dhe medaljet. Ndenja pranë hekurave, duke provuar kënaqësi dhe dhimbje bashkë. Kisha kontribuar një fazë për këtë fitore. Emri im nuk u përmend.

Lëviza këmbët si pa komandim dhe vetëm disa zëra më përmendën kur thërrisnin: ‘Po Filip Guraziun e keni harruar!’”.

Dhimbja e trajnerit fisnik të kësaj Vllaznie – kampione, themelues i pazëvendësueshëm për basketbollin e Shkodrës e të Shqipërisë, të paharrueshmit Esat Haxhi, ishte më prekësja. Këto kanë ndodhë në Shqipëri.

Këputeshin në mes ëndrrat e bukura e të merituara.. Në të vërtetë jo ëndrrat, por prishej jeta e një sportisti të madh.

Pa pikë mëshire shteti përjashtonte nga sporti Filip Guraziun, njeriun i cili qysh fëmijë kishte shpërthyer si një nga talentet më të mëdha të basketbollit shqiptar.

Me Tiranën kampion i gjithë shkollave të mesme të Shqipërisë, kombëtaras i padiskutueshëm i Shqipërisë së 22-vjeçarëve, tri herë radhazi Kampion i Shqipërisë (1961, 1962, 1963) me 17 Nëntorin e Tiranës –

skuadra që revolucionarizoi basketbollin shqiptar, 19 vjeç (1962) Mjeshtër Sporti – rast krejt i rrallë në sportet kolektive në Shqipëri, po 19 vjeç lojtar i Kombëtares – pjesë e pesëshes së Ballkaniadës 1965 kur së bashku me shokët fiton Anketën e mirënjohur të më të mirëve të Vitit të gazetës “Sporti popullor”.

Dhe të gjitha këto suksese të pandalshme të arritura vetëm deri në këtë vit 1966, kur ai ishte vetëm 23 vjeç! Çka absolutisht duhen quajtur krejt të rralla në sportin shqiptar për një basketbollist.

Filip Guraziun e ndiqte mbas tragjedia e të atit, të cilin sot, mbas gati një shekulli, ne e zbulojnë dhe e afirmojmë, përveç të tjerave, edhe si një pionier i sportit shqiptar në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX.

Madje, siç do ta tregojmë në mbas, në rrjedhën e këtij tregimi, Pjetër Guraziu është një ndër themeluesit drejtues të sportit shqiptar në tërësi… 5.

Rrokullisja e viteve të mëpastajmë është vërtet plot trille, sa shpresëdhënëse, por në fund të fundit krejt të pamëshirshëm.

Papritmas, mbas 18 muajve dukagjinas, Filip Guraziun e kthejnë në Shkodër, në profesionin e tij të më- suesit të matematikës dhe në rolin e tij të basketbollistit të pazëvendësueshëm.

Fizik thuajse si të një atleti, shtatlartë, sa shpërthyes i një dinamike e kërcyeshmërie, po aq plot larmi gjuajtjeje nga afër e nga larg, nën tabelë e në pamjen e kthjelltë të aksioneve rreth saj, basketbollisti Filip Guraziu qe prototipi i një arsenali modern të basketbollistit.

Ndërsa në atë që quhet shpirti i garës apo guximi i pamatë sportiv i një vullneti të papërkulur, ai nuk kishte rival.

A thua, këto cilësi e detyronin regjimin që ta rikthente? Është një rikthim i një vullneti të pakrahasueshëm.

18 muaj në malet e Dukagjinit pa luajtur basketboll dhe një rifillim i bujshëm, për të riushtruar sportin thuajse si një triumfator. Duket se mallkimi i diktaturës mbetet mbas tashmâ…. …

Por nuk është kështu. Shumë shpejt historia përsëritet. Jo vetëm ia ndalin përsëri basketbollin, por shpejt ia heqin edhe të drejtën e profesionit të mësuesit të matematikës.

Drejt e punëtor në Kombinatin e drurit në Shkodër! Krejt në kundërshtim edhe me ligjet e asaj kohe. Dhe nëse më mbas synon të punojë të paktën si një llogaritar i thjeshtë, ndonëse është diplomant universitar i matematikës, i duhet t’i nënshtrohet provimit të shkollës ekonomike të mbrëmjes për të zënë një vend si llogaritar.

Vonë, tepër vonë, Filip Guraziu do ta kishte rilindjen e tij të dytë të madhe vetëm në demokraci, kur qytetarët e tij e zgjedhin deri dhe kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1992-1996).

Këtu e deri më sot, si thuash, është jeta e dytë e Filip Guraziut, i cili ka një veprimtari hapësinore të pamatë.

Kryetar i Bashkisë, drejtor i Shkollës së mesme “Jordan Misja”, drejtues i Shoqatës së miqësisë Itali – Shqipëri me qendër në Firence e Shkodër, president i klubit “Vllaznia”, “Nderi i sportit shqiptar”, nënkryetar i Shoqatës së të përndjekurve me qendër në Shkodër.

Dhe pa harruar veprimtaritë në lamën e kulturës, të mbrojtjes ekologjike, të turizmit, të artit po si autor botimesh. Një pleksje tejet e shtrirë në larminë e saj gjeografike: Firence, Venecie, Gjakovë, Shkodër, Laç, Adriatik, Alpe, Shqipëri, Francë, Austri, SHBA.

E deri te Qytetar nderi i qytetit Linkoln Nebraska të SHBA. Çka megjithatë, nuk shlyejnë një histori dramatike.

Si gjithnjë shkaku i gjithë asaj drame të pjesës së parë të jetës së tij, me ngritje-uljet e saj, me pamëshirën e saj, me fundosjen dhe ngritjen e saj të përkohshme, për basketbollistin e madh shqiptar Filip Guraziu, kishin vetëm një shkak: babanë.

Njeriun e mirë, qytetarin fisnik, profesionistin e shquar të një kulture perëndimore i cili i rënë prej plumbave të një regjimi gjakatar pa asnjë faj, i kishte lënë djalin e tij Filipin dhe të bijën e tij, Elizabetën, fëmijë thuajse ende në prehrin e nënës së tyre, Ermelinda…

E pra, cili ishte Pjetër Filip Guraziu – babai i Filip Pjetër Guraziut? Në përgjigje të kësaj pyetje nis pjesa e dytë e kësaj historie çuditërisht zbuluese edhe për vetë historinë e sportit shqiptar, që sa i takon jetës shqiptare në tërësi, po aq i takon edhe vetë sportit tonë kombëtar.

(vijon)

*Marre nga gazeta “Panorama Sport”