Laçi ka një virtyt që e ka veçuar thuajse gjatë gjithë dekadës së fundit në Superiore. Grupi ka qenë gjithnjë më i rëndësishëm se individi, natyrisht kjo nuk ka frenuar askënd të spikasë mbi të tjerët. Në këtë sezon nëse kurbinasit ushqejnë ambicie për Europë, meritë absolute ka Ndriçim Shtubina.
31-vjeçari ka shënuar 6 gola dhe në sfidat ku ai ka gjetur rrugën e rrjetës bardhezinjtë kanë dalë gjithnjë me pikë. Ndryshimi i trajnerëve nuk ka ndikuar aspak në performancat e shkodranit, baza e të cilit ka qenë puna.
“Si çdo fazë, edhe kjo ka ngarkesat e veta. Skuadra është e ngarkuar maksimalisht, por unë jam mësuar me shumë trajnerë dhe kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Bëj punën e duhur në fushë dhe i respektoj trajnerët me punën time”, deklaroi fillimisht Shtubina për “SuperSport”.
Përveçse është shfaqur efikas në fazën e realizimit, Shtubina ka qenë njeriu që ka mbuluar çdo problem taktik të skuadrës, duke u sistemuar në shumë pozicione. Kjo është një armë plus për skuadrën dhe vetë lojtarin.
“E kam diçka pozitive, luaj në shumë pozicione në fushë. Kjo është gjë e mirë për mua, sepse për çdo vend që hapet në formacion jam i gatshëm. Kemi zhvilluar dy faza deri diku të mira, por kemi mundësi për më shumë”, theksoi shkodrani.
Prurjet e reja sjellin konkurrencë dhe natyrisht konkurrenca sjell progres, duke u mbështetur te kjo Shtubina mirëpret çdo afrim të mundshëm te Laçi. “Në përgjithësi është grupi që bën diferencën. Çdo skuadër kërkon përforcime dhe për këtë problem merren drejtuesit. Gjithsesi, çdo futbollist është i mirëpritur këtu te Laçi, me djersë dhe punë mund ta arrijë formacionin”, përfundoi golashënuesi më i mirë i Laçit.