Spektakël pa krisma në “Etihat Stadium”, me Manchester Cityn dhe Arsenalin që nuk shkuan dot përtej barazimit pa gola në krye-ndeshjen e javës së 29 të Premier Leagues angleze.

Në të dielën e Pashkës, dy skuadrat u ndanë në paqe, ndonëse për 90 minuta u zhvillua një përballje mjaft e luftuar. Vlen të theksohet se rastet ishin me pikatore për të dy skuadrat, teksa as vendasit dhe as “Topçinjtë” e Mikel Artetës, nuk arritën të mposhtin frikën e humbjes.

Këta të fundit i dhanë fund serisë së humbjeve radhazi në “Etihad Stadium”, duke marrë një pikë të rëndësishme dhe njëkohësisht duke mbyllur sezonin me bilanc pozitiv ndaj Manchester City-t.

Ky barazim i shërben më shumë Liverpoolit, që tashmë kryeson i vetëm me 67 pikë, i ndjekur nga Arsenali me 65 dhe Manchester City me 64, megjithatë gara është plotësisht e hapur dhe me 9 javë nga fundi, Premier League premton një betejë të jashtëzakonshme për titullin kampion.