Merkato dhe përgatitjet e ekipeve shqiptare përpara fillimit të edicionit të ri janë ende një temë e nxehtë. Skuadrat e Superligës janë në dy javët e fundit të stërvitjes para nisjes së edicionit 2022-23. Por një vëmendje është edhe tek merkato patjetër.

Nëse përforcimet nga jashtë vendit kushtojnë shumë dhe ndoshta për momentin nuk mund të gjesh futbollistë që bëjnë diferencën, vëmendja kthehet në tregun vendas.

E sidomo tek futbollistë të konfirmuar në kampionatin shqiptar dhe që me cilësitë dhe eksperiencën e tyre mund ti shërbejnë çdo skuadre. Të tillë janë dy emra në veçanti: Egzon Belica dhe Esat Mala. Të dy futbollistët pjesë e Partizanit në sezonet e fundit, ku me të kuqtë fituan edhe titullin kampion janë lojtarë që mund të tentohen në merkato.

Mala i cili ishte i huazuar tek kryeqytetasit në sezonin e fundit Giresunspor, duket se nuk do e vijojë karrierën tek ekipi turk. Dhe me siguri do jetë një lojtar i lirë në treg. Mesfushori polivalent mund të aktivizohet në disa pozicione në fushën e lojës. E po ashtu edhe Egzon Belica ka shkëputur marrëdhëniet së fundmi me skuadrën e Partizanit.

Mbrojtësi me eksperiencë është një alternativë shumë e vlefshme për çdo skuadër të kampionatit tonë. Të dy futbollistët njihen shumë mirë në Shqipëri dhe me siguri që do tentohen nga ekipet e Superiores, ku përjashtim nuk bën as Vllaznia. Që mund të përforconin ndjeshëm ekipin kuqeblu.

Endri ÇINARI