Verona u mund minimalisht nga Milani në mbrëmjen e së dielës në një ndeshje dramatike, por ai që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në stadiumin “Bentegodi” ishte pa dyshim mbrojtësi i talentuar shqiptar, Marash Kumbulla.

19-vjeçari i grumbulluar edhe në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares ndaj Francës dhe Islandës, bëri një 90-minutësh fantastik ndaj Milanit. Ishte e treta radhazi për të si titullar në Serinë A dhe nuk zhgënjeu, edhe pse përballë kishte një sulmues si Piontek.

Fakti që sfidoi për herë të parë në karrierën e tij një skuadër të madhe, madje duke luajtur shumë mirë, tregoi edhe një herë cilësinë që ka qendërmbrojtësi shqiptar.

Natyrisht, nuk kishte si të mungonte as vlerësimi nga mediat italiane për Kumbullën. Jo vetëm Piontek, por edhe Suso e Çalhanoglu provuan disa herë gjatë lojës forcën e talentit kuqezi. Mediat italiane e kanë vlerësuar me notën 6.5 paraqitjen e të riut, po aq sa edhe për kosovarin Amir Rrahmani.