Ndryshimet tek Vllaznia kanë nisur. Sponsori Alban Xhaferi po lëviz shpejt dhe kuptohet që e gjithë vëmendja është e fokusuar tek ekipi i parë, por ai dhe stafi i tij nuk janë duke lënë pas dore edhe çështjet e tjera të klubit dhe një nga më të rëndësishme padyshim që është Akademia.

Gjatë prononcimit të tij në “Sport Arena”, biznesmeni i njohur ka folur për atë se çfarë do të ndryshojë tek Akademia dhe cili do të jetë prioriteti i punës tani e tutje.

“Akademia në fakt është pjesa më kritike për momentin për Vllazninë, por njëkohësisht duhej të ishte pjesa më potenciale për shoqërinë aksionere sepse mund të gjenerojë të ardhura. Ne si sponsorë kemi menduar të ndërtojmë një plan të ri pune në rradhë të parë.

Gjithçka do të jetë e bazuar tek prodhimi, që do të jenë lojtarët. Mua nuk më intereson shumë puna e titujve me ekipet e Akademisë sepse kam parë këto vitet e fundit që ekipi U19, U17 apo ndonjë tjetër, fitoi këtë apo atë titull kampion. Kjo është diçka që nëse do të realizohet, do të ishte diçka e mirë, por targeti kryesor i Akademisë duhet të jetë prodhimi i lojtarëve.

Kjo në rradhë të parë për të furnizuar ekipin e parë të Vllaznisë dhe pjesa tjetër pastaj për të krijuar të ardhura për klubin me mundësinë e shitjes së tyre në Shqipëri apo dhe jashtë. Këtë vit risi do të jetë ndërtimi i ekipit U21 që do të jetë një hallkë e mirë për lojtarët që dalin nga ekipi U19 dhe që tentojnë t’i bashkohen ekipit të parë”- ka thënë Xhaferi.

I pyetur nëse tek Akademia do të ndryshojnë emrat e atyre që punojnë aktualisht apo mënyra e punës, sponsori Xhaferi i është përgjigjur: “Do ketë ndryshime në rradhë të parë të mënyrës së punës sepse kjo është më e rëndësishmja, por në kuadrin e riorganizimit mund të ketë edhe ndryshime të mundshme në organikë”.

Sa i takon problemit të mungesës së terreneve sportive për ekipet e Akademisë, Xhaferi ka deklaruar: “Ky është një problem serioz dhe ndoshta duhet të bëjmë një plan afat- mesëm. Por në mënyrë emergjente duhet të shohim fushat aktuale dhe me pjesën e privatit se si mund t’i përdorim në mënyrë më efiçente fushat.

Në planin afat- mesëm pastaj duhet menduar më gjatë sepse mesa kam informacion, edhe UEFA e FSHF ndihmojnë për ndërtimin e fushave të reja e po ashtu edhe unë si sponsor ndoshta do shoh mundësinë që në kompleksin që do ndërtojmë, të mund të ndërtojmë edhe fusha futbolli”.
www.shkodrasport.com