Vllaznia ia doli të qëndronte sërish në Superligë dhe mbrëmjen e së dielës ka patur një festë të vogël në kampin shkodran dhe vetëm aq. Nga dje, ndërkohë ka nisur puna për të menduar për skuadrën e sezonit të ardhshëm që padyshim do të jetë krejt ndryshe nga ai që sapo u mbyll. Të paktën kështu premtojnë drejtuesit e klubit dhe veçanërisht sponsori Alban Xhaferi që duket i angazhuar maksimalisht për t’i ndryshuar fytyrën Vllaznisë.

Gjatë emisionit “Sport Arena” biznesmeni i afruar së fundmi pranë Klubi Vllaznia ka folur edhe për mënyrën si do të procedohet për ndërtimin e ekipit dhe detaje të tjera rreth përbërjes së tij, fazës përgatitore etj.

Për një fillim të ri kam ardhur unë tek Vllaznia. Kam ardhur për objektiva të reja, plane të reja. Koha në dispozicion është e shkurtër por mendojmë që në ditët në vijim gjithçka do të qartësohet.

Mendoj se vetëm këtë javë lojtarët do ta kenë në dispozicion për të pushuar dhe ne për të bërë lëvizjet e duhura. Shumë shpejt, skuadra e re ka për të filluar të marrë formë. Nuk ka kohë për të pritur. Sezoni i ri nis në gjysëm të shtatorit, duhet bërë një fazë përgatitore dy- tre javore të cilën do ta vendosim se ku do ta bëjmë, por besoj brenda Shqipërisë sepse për shkak të gjendjes së pandemisë është e pamundur për të lëvizur jashtë.

Po punojmë orë e çast dhe si është ajo shprehja, “nuk na zë gjumi i natës”, për të kapur ritmin. Besoj se brenda javës do të keni lajme të reja, kuptohet edhe për çështjen e trajnerit. Po ashtu jemi në kontakte të vazhdueshme me disa lojtarë, edhe këto aktualët që mbyllën sezonin me Vllazninë, por edhe me të tjerë. Megjithatë, fjala përfundimtare do t’u mbetet drejtuesve të rinj, drejtorit dhe trajnerit.
www.shkodrasport.com