Ecuria e sivjetme e Vllaznisë i ka bërë për vete të gjithë. Sidomos shkodranët i ka entuziasmuar së tepërmi dhe ndonëse prej muajsht lajmet e përditshme kanë qenë pandemi, frikë, kaos, përmbytje etj, tashmë po flitet shumë edhe për futboll dhe për Vllazninë.

Sponsori Alban Xhaferi ndjehet i lumtur që e ka bërë këtë gjë dhe padyshim që gëzimi i tifozëve për të flet vetë. Një deklaratë të tilla, ai e ka bërë në emisionin “Procesi Sportiv” ku ka qenë i ftuar.

“Të jesh president i një klubi në Shqipëri është shumë e vështirë, po flas për Shkodrën, por edhe një kënaqësi e jashtëzakonshme. Sidomos kur puna të del në pah, padyshim që të jep një sadisfaksion të madh.

Në punët e mia, jam mësuar që t’i delegoj përgjegjesitë dhe mundohem që gjithësecilit me i dhanë atë që i takon. Sekreti i Vllaznisë së sivjetme mendoj se është edhe ky sepse secili ka detyrën e tij dhe askush nuk i përzihet.

Po rikthejmë pranë Vllaznisë edhe tifozë që kanë 10 apo 20 vjet që nuk ndjekin një ndeshje të saj. Për fat të keq stadiumet vazhdojnë të jenë të mbyllura, por interesimi në Shkodër aktualisht është i jashtëzakonshëm për skuadrën.

Po ju sjell edhe një batutë të ditëve të fundit. Kryetarja e Bashkisë në zonat e përmbytura takoi shumë persona dhe njëri, i zoti i një shtëpie i tha: “Zonjë, na shiko punën e Vllaznisë ti, se kjo puna e shtëpisë është kollaj, do ta rregullojmë”.

Karikimi i njerëzve në Shkodër është në maksimum dhe për ne është kënaqësi e madhe që në këto momente të vështira për ta, po mundohemi të japim diçka të bukur dhe t’i kënaqëim ato”./SHKODRA-SPORT.COM/