Ka filluar të flitet vrullshëm për merkaton e janarit të ekipit të Vllaznisë. Çdo ditë ka emra lojtarësh që janë larguar ose po tentojnë të largohen dhe të tjerë që pritet të vishen kuqeblu. Po në çfarë pozicionesh kërkon lojtarë Vllaznia në merkata?
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë sponsori Alban Xhaferi i cili nuk është ndalur shumë në emrat e atyre që do të vijnë, por ka deklaruar vetëm pozicionet e lojtarëve që po kërkohen.
“Nuk do të bëjmë shumë ndryshime në skuadër sepse kjo është e panevojshme. Bazën e kemi, thjesht duam të shtojmë alternativat në dispozicion të stafit teknik. Po kërkojmë të bëjmë 2-3 përforcime dhe konkretisht një sulmues, një mesfushor dhe një mbrojtës i majtë”.
Por në fakt në opinion apo dhe në media, ka patur edhe një ide nëse Vllaznia duhet të hyjë në merkato për të gjetur edhe një portier tjetër sepse Zogoviç në momente të caktuara ka treguar pasiguri. Duke folur në lidhje me këtë temë, Xhaferi për “Shkodra Sport” është shprehur:
“Për portierë nuk po diskutohet sepse ne kemi një Zogoviç, por kemi edhe një Qarri, për të cilin kam mendimin se do të jetë një talent i portës së Vllaznisë dhe unë mezi ç’pres që atij t’i jepet rasti të luajë”.
Po cilët janë lojtarët me të cilët po kontaktohet? Sponsori i kuqebluve nuk ka dashur të përmendë emra, me përjashtim të atij të Llullakut për të cilin ka thënë se bisedimet me të vazhdojnë, ndërsa për të tjerët ka shtuar:
“Kemi kontakte me një futbollist afrikan, me lojtarë brazilianë, po shohim edhe opsionet e lojtarëve të kampionatit shqiptar. Ende nuk kemi të qartë se cilët lojtarë do të veshin fanellën e Vllaznisë megjithatë në ditët e para të janarit do të zbulohen edhe emrat e tyre”./SHKODRA-SPORT.COM/