Gjërat nuk mund të shkojnë më mirë se kaq për Liverpulin. Skuadra e kuqe është kryesuesja e kampionatit anglez, e ka nisur me fitore fazën e grupeve në Champions League dhe po luan një futboll fantastik.

Në “Anfield” po jetohet një moment shumë i mirë, por mesa duket, aty po fshihet edhe një sekret. Gazeta gjermane “Bild” ka publikuar se lojtarët e Jurgen Klopp pinë pas ndeshjeve një “pije sekrete” që përmirëson rendimentin e tyre.

Kjo pije mendohet se është bërë nga Mark Warnecke, ish-notar dhe kampion bote, i cili e fitoi këtë titull në moshën 35-vjeçare.

Ai tha atëherë se sekreti i tij ishte ushqimi dhe Liverpuli tashmë e ka futur në staf gjermanin në mënyrë që futbollistët të ushqehen sa më mirë të jetë e mundur.

Mark ka krijuar dy pije speciale për “Reds”-at, që konsumohen pas ndeshjeve apo stërvitjeve dhe janë shumë efikase për të përshpejtuar rigjenerimin dhe për të ulur lodhjen fizike. Sipas “Sport Bild”, kjo pije deri tani i ka kaluar të gjitha testimet dhe kontrollet e realizuara.