Çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola është fitues i kupës “Muriqi” të zhvilluar ditën e sotme. Ai ka konkurruar në kategorinë kadet dhe ka rezultuar më i miri. Kjo grupmoshë e ka nisur garën në Lezhë për ta bërë mbylljen në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës. Gara ka qenë interesante por ka spikatur çiklisti shkodran Bruno Kola. Ai që në Balldre është shkëputur nga grupi dhe bashkë me të ka qenë edhe një çiklist i Teutës. Të dy sëbashku kanë pedaluar të vetëm deri në Xhabije, aty ku shkodrani është shkëputur me një sprint të fuqishëm dhe ka prekur i pari vijën e mbërritjes duke u shpallur fitues i kupës. Në vend të dytë dhe të tretë kanë qenë dy çiklistë të Teutës ndërsa në vend të katërt Rais Ferhati i Vllaznisë.
Ndërkohë kategoria elitë e çiklistëve, e ka nisur garën në Tiranë dhe në finish i pari ka mbërritur Orest Hoxha i Teutës. Në fakt ai ka mbërritur i dyti por pak metra para mbërritjes, është shtyrë me dashje nga Hoxha i Apolonisë duke u rrëzuar keqazi dhe për këtë veprim, gjyqtaria e ka përjashtuar çiklistin fierak dhe ka shpallur fitues atë të Teutës. Në përfundim të garave, është zhvilluar e dorëzimit të kupave dhe diplomave ku kanë marrë pjesë edhe presidenti i FSHÇ-së Skënder Anxhaku, drejtuesit e klubit Vllaznia Mark Kroqi e Kujtim Shaba si dhe pjestarë të familjeve Muriqi e Tafili. Në këtë mënyrë është mbyllur me sukses kjo garë për çiklistët e Vllaznisë që nën drejtimin e trajnerit Sabetin Hoxha dhe të presidentit të ekipit Leonat Kola, kanë bërë një paraqitje shumë të mirë duke zënë edhe vendin e parë në kupën e organizuar në nderim të Fadil, Gani, Ruzhdi e Fuat Muriqit.
© shkodrasport.com