Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në javën e 32-të të kampionatit. Rezultat që erdhi në transfertë përballë Dinamos, por që ka lënë të gjithë të pakënaqur në kampin shkodran, por edhe tek tifozeria.
Loja e skuadrës nuk ngroh këtë periudhë dhe mungesat e futbollistëve me peshë si Latifi duket se ndikojnë shumë në ecurinë e skuadrës.
Por një “tërheqje veshi” duhet të ketë edhe për futbollistët që futen në lojë nga stoli. Duhet të kërkojmë shumë në këtë edicion për të parë lojtarë që vijnë nga pankina dhe bëjnë diferencën në fushë. Duket se asnjëri prej futbollistëve nuk është i zoti të ndryshojë ritmin e ndeshjeve kur hidhen në fushë si zëvendësues.
E njëjta histori u ripërsërit edhe kundër Dinamos, ku lojtarët e hedhur në fushë për të ndryshuar diçka, nuk arritën ta bënin. Në fillim të edicionit thuhej me krenari se Vllaznia ka dy ekipe, një në fushë e një në stol. Por diçka e tillë nuk po rezulton e vërtetë deri më tani. Në një moment ku edicioni po shkon drejt fundit duhet që gjithë futbollistët të jenë të karikuar.
Kjo jo vetëm për objektivat e skuadrës, por edhe për performancat e tyre individuale ku me shumë mundësi disa prej tyre nuk do jenë pjesë e Vllaznisë sezonin që vjen.
Tashmë në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit, por edhe finalen e kupës kundër Laçi e gjithë skuadra duhet të jetë e bashkuar dhe e gatshme për sprintin final.
Endri ÇINARI