Armand Duka ka pasur një rrëfim ndryshe, teksa është ndalur më shumë në aspektin ekonomik. Në intervistën për “Monitor”, Duka ka treguar shumë aspekte që lidhen me botën e futbollit dhe jo vetëm.
Sporti i futbollit nuk është vetëm një lojë dhe si e tillë ndikon shumë aspekti financiar, me futbollin që ka pasur progres në këto vite. 57 vjeçari i Federatës Shqiptare të Futbollit është ndalur edhe te stadiumi i ri “Air Albania”, duke treguar se falë tij futbolli do të arrë tjetër zhvillim edhe në karakterin social.
“Mund të konfirmoj se shifrat që siguron futbolli shqiptar, kanë ardhur në rritje në dekadën e fundit. Këtu mendoj se duhet të bëjmë një ndarje mes buxheteve të FSHF dhe atyre të klubeve. Buxheti vjetor i Federatës së Futbollit është 8.2 milionë euro.
Ndërsa nëse do flasim për klubet, në Kategorinë Superiore, variojnë nga 400 mijë Euro deri në 1.2 milionë Euro për secilin prej tyre. Në kategoritë e mëposhtme kemi buxhete modeste, sepse shumica dërrmuese e tyre menaxhohen nga qeverisja vendore, pra bashkitë janë aksonerët kryesorë të shoqërive.
Vlera e shtuar e stadiumit tonë të ri, është e gjithëanshme. Nëse do ta specifikoja, mendoj se vlera mbi të gjitha është sociale, profesionale dhe ekonomike. Që t’i marr me radhë: Air Albania Stadium është një vlerë sociale, sepse krijon një ambjent të ri, atmosferë të re, për 22 mijë sportdashës, si kurrë më parë në Shqipëri. Ky impiant e kthen një ndeshje futbolli në një festival, në një vend argëtimi, në një vend ku mund të shkosh me familjen e veçanërisht me fëmijët. Nga ana tjetër, vlera e shtuar është profesionale.
Arkëtimet në favor të futbollit shqiptar përgjatë një viti, duke përfshirë të gjitha eventet sportive të mundshme të kombëtares, klubeve në kampionat dhe kupë arrijnë një pritshmëri prej 1.5 milionë euro ndërkohë këtu mund të shtojmë edhe të ardhurat nga e drejta e emrit të stadiumit, shitja e skybox-eve etj. një vlerë rreth 900 mijë euro.
Vlera e Kombëtares? Është vështirë të flitet për shifra në një treg të ndryshueshëm përditë. Por sipas vlerësimit tonë, kombëtarja jonë aktualisht ka një vlerë deri në 90 milionë Euro. Vlera e djemve tanë ka ardhur në rritje, nisur edhe nga mbështetja dhe prioriteti që ne i kemi dhënë kombëtares.
Kualifikimi në Euro2016, solli më pas edhe një rritje të nivelit të djemve që sot derdhin djersë në klubet më të mira të Evropës. Nëse do bëja një parashikim dhe duke gjykuar të punojmë të gjithë edhe më shumë, mendoj se në pesë vitet e ardhshme mund të kemi një vlerë të dhjetëfishuar“, ka thënë mes të tjerash kreu i FSHF-së./newsport/