Pamja që të ofron stadiumi “Loro Boriçi” tashmë është vërtetë shumë e bukur, krahasuar me atë se çfarë ka qenë më përpara aty. Dhe kjo, jo vetëm në brendësi të tij. Më e bukur natyrisht që duket nga jashtë, duke e krahuar me atë se çfarë të ofronte 15 muaj më përpara. Një ambjent rreth e qark këtij impianti sportiv krejtësisht I tjetërsuar dhe natyrisht që tashmë është kënaqësi ta vizitosh. Çdo gjë duket e përfunduar. Që nga rregullimi I fasadës së jashtme, vendosja e ndriçimit, e kamerave të sigurisë, shtrimi I rrugës dhe I trotuarit.

Shumë interesante duket mënyra si tifozët do të futen në stadium. Dyert janë të gjitha nën kontroll dhe hyrja e tifozëve do të bëhet përmes biletës elektronike. Tashmë kanë mbërritur edhe shtyllat që do të shërbejnë për ndriçimin e stadiumit dhe mbetet vetëm vendosja e tyre, ashtu siç pritet edhe ardhja e tabelës elektronike, atyre të reklamave dhe arredimi i tribunës qendrore. Në pamje të parë të krijohet ideja se tashmë stadiumi për pak ditë do të jetë I gatshëm për t’u inaguruar por nuk është kështu. Janë edhe jo pak gjëra për t’u rregulluar nga jashtë, por janë shumë gjëra në ambjentet e brendshme të tribunës si tek palestrat e ndryshme që janë llogaritur të ndërtohen poshtë tribunave të tjera dhe që nuk janë prekur fare me dorë nga firma ndërtuese. Bashkia Shkodër që do të jetë institucioni që do ta marrë në dorëzim këtë stadium, sigurisht që pret përfundimin e plotë të investimit të bërë nga Qeveria Shqiptare dhe UEFA, ndryshe nuk do ta marrë në dorëzim dhe ky mund të jetë problemi I ardhshëm I “Loro Boriçit” që ndoshta do t’I duhet të presë gjatë për ditën e inagurimit.

© shkodrasport.com