Ritmet e punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” kanë qenë të kënaqshme ditët e fundit. Pasi është mbyllur pothuajse gjithçka në ambjentet e brendshme, tashmë puna është përqendruar tek ambjentet jashtë. Aktualisht po punohet për shtrimin e kësaj pjese dhe njëkohësisht është vendosur edhe sistemi I ndriçimit. Ky proces pritet të përfundojë Brenda pak ditësh ndërkohë që kanë mbetur për t’u përfunduar edhe procesi I shtrimit të pistës, vendosja e ndriçimit, vendosja e tabelës elektronike e disa gjëra të tjera. Për tartanin ndërkohë nuk ka ende asnjë lajm nëse do vihet tani apo duhet pritur ndonjë periudhë tjetër.
Firma ndërtuese e stadiumit kishte premtuar që do t’ia dorëzonte stadiumin Bashkisë Shkodër në fund të muajit maj por kjo nuk po ndodh. Përpos kësaj, nuk dihet nëse institucioni I pushtetit lokal do ta marrë në dorëzim apo jo pa përfunduar I gjithë investimi ashtu siç ka qenë në projekt. Këto janë detaje të cilat duhen sqaruar sa më parë sepse nuk përjashtohet mundësia që në “Loro Boriçi” të luajë kombëtarja e Kosovës apo dhe klubet e saj ndeshjen e Kupave të Europës. Ndeshje këto që siç dihet luhen në fillim të muajit korrik dhe deri atëherë gjithçka duhet të përfundojë megjithatë ka ende punë. Stafi që ka nisur punën në stadium, po has pengesa të ndryshme. Ende mungon një korrëse bari , ende mungojnë disa makineri të tjera dhe nuk ka akoma diçka të saktë se kush do t’I blejë këto paisje që në fakt kushtojnë shumë. Vërtetë Bashkia Shkodër ka marrë përsipër administrimin e stadiumit por këtë do ta bëjë pasi të ketë përfunduar plotësisht dhe për të mbërritur deri në këtë pikë, duhet edhe një investim tjetër që mbase duhet shtuar nga Qeveria ose Federata.
© shkodrasport.com