Në Bashkinë Shkodër kanë filluar të mendojnë për një rikonstruksion të mundshëm të stadiumit “Loro Boriçi”. Gjendja e mjerueshme e tij dhe mosinvestimi prej vitesh në të, i ka bërë drejtuesit e këtij institucioni të mendojnë për të investuar në të. Megjithatë para se të bëjnë këtë gjë, ata thuhet t’i kenë kërkuar një studioje italiane hartimin e një projekti të mundshëm për këtë rikonstruksion. Madje, bëhet e ditur se drejtuesit e Bashkisë kanë ndër mend të ndërhyjnë ndoshta në ndërtimin e plotë të dy tribunave të mbetura të stadiumit. Lajmi është pohuar për një të përditshme sportive nga vetë nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani. Megjithatë ende nuk ka gjë konkrete sepse së pari, mendohet hartimi i projektit. Më pas, mund të vazhdohet me etapat e tjera.
Ka kohë që flitet për marrjen e një kredie të mundshme për ndërtimin e plotë të “Loro Boriçit”. Në fakt, ditë më parë një dashamirës i madh i sportit- Armando Lohja hodhi idenë e fillimit të një projekti të madh për ndërtimin e plotë të këtij stadiumi me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia. Ndonëse ky përvjetor ka edhe 7 vjet kohë, nëse gjërat nuk fillojnë që tani, sërish shkodranët mund të jenë të vonuar. Shkodra e meriton një stadium bashkëkohor por se kur do bëhet ai, kjo ende nuk dihet.
www.shkodrasport.com