Partizani ka mbyllur dje zyrtarisht përgatitjet për derbin e sotëm kundër Tiranës në orën 20:00 në stadiumin “Air Albania”.

Të kuqtë tashmë e kanë hedhur pas barazimin zhgënjyes kundër Laçit, ku nuk arritën të dilnin në lojën e tyre dhe shfaqën probleme në të gjitha fazat e saj. Trajneri Veselinoviç e pranoi edhe në konferencën për mediat se i ka gjithë lojtarët të gatshëm.

Kjo ka qenë padyshim një ndihmë mjaft e madhe për trajnerin, i cili ka shansin të punojë me gjithë ekipin dhe të provojë edhe ndonjë element të ri në stërvitje. Gjatë gjithë javës stërvitjet kanë qenë të mbyllura për mediat dhe publikun, me klubin që ka preferuar të jetë sa më hermetik në këtë aspekt për arsye jo fort të qarta.

RRESHIMI – Mbyllja në stërvitje e ka bërë të vështirë zbulimin e formacionit, por fakti është se Veselinoviç është treguar i kufizuar në emrat e lojtarëve për 11-shen. Ai nuk është se ka ndonjë larmi zgjedhjesh në ekip dhe siç e kemi parë në ndeshjet e shkuara, 54-vjeçari është përqendruar te një numër prej 13-14 lojtarësh për formacionin startues.

Në mbrojtje pritet që Zguro të startojë sërish, njëjtë si Taipi në mesfushë. Dilema e vetme duket se është në majën e sulmit, aty ku Bintsuka ka treguar shumë vlera dhe Mba në ndeshjen e fundit nuk u pa në formën e tij maksimale.

Pavarësisht së gjithash, nigeriani duket më i favorizuar. Trajneri pritet të zbresë me skemën 4-3-3, megjithëse nuk përjashtohet ndonjë surprizë e orëve të fundit për kundërshtarin e tij, Bledi Shkëmbi.