Që nga dita e djeshme, ashtu siç është bërë e ditur, në krye të Vllaznisë kemi një trajner të ri: Ernest Gjokën. Por jo vetëm atë. Bashkë me të kanë ardhur edhe tre ndihmës të tij. Çka do të thotë se ndihmësit e Cungut, zëvendëstrajnerit Aleksandar Maxhar dhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi, nuk do jenë më në këto poste.

Kështu, krahu i djathtë i trajnerit të ri është Fatjon Tafaj, një ish- futbollist i disa skuadrave në futbollin shqiptar. Ai ka punuar bashkë me Gjokën edhe tek Kukësi dhe tashmë e ka vijuar bashkëpunimin edhe tek Vllaznia. Trajner i portierëve ndërkohë është Alfred Osmani, një ish-portier i Teutës që aktualisht është edhe trajner i portierëve tek kombëtarja U-21. Përveç tyre, në stafin e ri tashmë kemi edhe një përgatitës atletik. Ai është Gjergji Poloska. Këto katër trajnerë kanë marrë përsipër të ndryshojnë situatën tek kuqeblutë dhe duhet të presim të shohim frutet e para të punës së tyre.

© shkodrasport.com