Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, i ka bërë një analizë punës së bërë deri tani dhe atë që pret nga viti 2022. Tekniku i kuqezinjve, në një intervistë për “Top Channel”, ka treguar se çfarë pret në këtë vit të ri duke komentuar paraqitjet e ekipit, por edhe duke u ndalur te individët e veçantë, me këshillën e rastit për Armando Brojën.

“Unë mund t’i jap një notë 10-të stafit tim, sepse po bëjmë një punë shumë të mirë me ekipet zinxhire të kombëtares duke filluar me përzgjedhje lojtarësh që nga mosha 12-13 vjeç. Ndërsa sa i përket lojtarëve dhe skuadrës mund t’i japë një notë 8. Jemi një ekip kompetitiv me skuadra si Polonia apo Hungaria sepse për skuadra si Franca apo Anglia që luajnë në nivele shumë të larta dhe për objektiva madhor nuk jemi ende.

Nëse më duhet të bëjë një analizë, se çfarë është bërë deri tani mund të them me siguri që ka patur një rritje, sepse ne jemi duke punuar me perspektivë për vitin 2024. Gjatë kësaj periudhe jemi ndeshur me skuadra të mëdha dhe me lojtarë të rëndësishëm, në ato përballje ne jemi paraqitur mirë. Ndeshja që na ka lënë shije jo të mirë ishte ajo me Poloninë, ndërsa me Hungarinë nuk duhet të harrojmë se ata kanë humbur gjatë gjithë kompeticionit 4 ndeshje dhe dy prej tyre i humbën me ne. Edhe pse nuk ia dolëm të arrinim në “play-off”, sigurisht që mbetet bindja që ne kemi bërë përpara”, tha fillimisht Reja.

Ka patur edhe shumë kritika mbi ju sidomos për ndeshjen ndaj Anglisë?
Ehh ju shqiptarët jeni shumë kritikë, por tani jam mësuar edhe me këtë gjë. Por të luash kundër Anglisë që nuk di nga t’ia fillosh me emrat, ata janë skuadra më e mirë në botë për momentin. Në fund të fundit dua t’i them shqiptarëve atyre më kritikëve që edhe ndeshje si këto ndodhin, por do të përpiqemi të përmirësohemi në të ardhmen. Objektivi ynë ashtu si na e ka kërkuar edhe presidenti Duka është që të jemi gati për eliminatoret e 2024-s.

Megjithatë në Angli veç rezultatit u hap edhe një çështje: Broja. Mund të na tregoni diçka më tepër?
Bëjmë shumë keq që merremi me këtë gjë, pasi edhe kolegët e tu bëjnë shpesh pyetjen për Brojën dhe po bëhet një qëllim në vetvete. Ai është një djalë që duhet të rritet, ta lëmë të qetë dhe të flasim sa më pak për të, jo për kualitetet, se për ato kemi folur shpesh herë. Unë flas gjithmonë për kolektivin, ai duhet të bëhet pjesë e këtij grupi dhe të jetë në sintoni me ta. Duhet të bëhet i dashur për grupin, për sjelljet që ka dhe mbi të gjitha për mentalitetin. Përndryshe nuk do të bëjmë gjë tjetër, veçse të prishim rrugëtimin e rritjes së tij. Ne ia dimë vlerat që ka, por duhet ta lëmë të qetë. Ai do të jetë patjetër një vlerë e shtuar e skuadrës. Nuk dua të flitet për të, do më pëlqente të flitet për Shqipërinë. Broja duhet të jetë i vlefshëm për grupin, të bëjë gjithçka për të qenë aty, siç bëjnë të tjerët. Ne mund të rritemi, nëse kemi në përbërjen tonë, lojtarë, ose burra që e duan këtë lloj filozofie. Unë nuk flas kurrë për elementë, dua të flas vetëm për grupin. Broja duhet të jetë njësoj si të tjerët, për sjelljen dhe veprimet. Dhe kjo është dëshira ime për 2022. Le të shohim, do të jemi në vëzhgim dhe në ndjekje të rritjes së tij.

Përpara Europianit kemi Ligën e Kombeve?
Sa i përket Ligës së Kombeve nuk mund të them që gjërat janë të lehta sepse nuk ka fitore të thjeshta. Ne dhe Sllovenia apo skuadra të tjera që janë ngjitur në Grupin B konsiderohemi më të dobëtat e atij grupi. Por do të provojmë, vetëm se s’na pëlqen që kemi një grup që do të na duhet të rrimë në udhëtim, do të na duhet të stërvitemi në avion.

A do të jetë 2022-shi viti juaj i fundit nën drejtimin e kuqezinjve siç thotë edhe kontrata?
Unë jam pak i madh me moshë, por derisa kam energjinë, entuziazmin dhe jam i kthjellët, mund të them se po shkojmë mirë. Unë, stafi im, Federata jemi në sintoni, mjafton të hedh një shikim, apo një gjysmë fjale dhe kuptohemi. Objektivi im është që të kualifikohemi në Europian, por në futboll mund të ketë shumë të papritura. Për momentin jemi të qartë, por për vazhdimin të shohim. Ne trajnerët jetojmë me momentin dhe entuziazmin, por ka shumë raste që ndryshohen menjëherë dhe për ne trajnerët, kjo është jeta jonë, profesioni jonë. Ndihmësit e mi, si Stezina, ashtu edhe Febrari, po bëjnë kurse mjaft të mira në fushat e tyre dhe po i japin një ndihmë futbollit shqiptarë. Nëse unë do të nduhet të ndaloja, ose të mos konfirmohesha, gjithçka do të hidhej në erë dhe nuk do të ishte mirë dhe unë as e mendoj. Unë jam trajneri, jam një punonjës i Federatës dhe ky është mendimi im, për gjëra të tilla duhet pyetur edhe presidenti.

A mund të quhet dhurata e parë që keni marrë për këtë 2022 është ndeshja miqësore me Spanjën?
Kur presidenti më telefonoi u ndjeva shumë mirë dhe u gëzova. Sepse kur luan kundër me skuadrave të tilla si Spanja aq më tepër unë që e pëlqej shumë mënyrën e lojës së tyre, ndihesh mirë. I thash presidentit, ‘Ca thua vërtet?! Po ca ndodhi kështu?! Të luash kundër këtyre kundërshtarëve jo vetëm që të vjen mirë, por mund të shohësh edhe rritjen e skuadrës.

Megjithatë rrezikojmë edhe një figurë të keqe me kundërshtar kaq të mëdhenj apo jo?
Ehh kundër skuadrave si këto mund të bëjnë figurë të keqe të gjithë. Ata të fshehin topin dhe gjithmonë aty ku është topi janë 6 apo 7 lojtarë. Ne na duhet të ushtrojmë presing që të mos i lemë ata të ndërtojnë dhe më pas të tentojmë me kundërsulme, nuk ka zgjidhje tjetër.

Dhe urimi juaj i parë për shqiptarët për këtë vit të ri?
Urimi im i parë shkon për Federatën Shqiptare të Futbollit, dua t’ju falënderoj të gjithë ju gazetarëve për bashkëpunimin, më pas lojtarët, duke uruar që të luajnë të gjithë siç po ndodh tani, të mos i zërë Covidi dhe të vijnë në kushtet maksimale. Viti 2022 duhet të na japë bindjen që jemi një skuadër ndërkombëtare e madhe. Dhe në fund, për tifozët një urim të veçantë, sepse më kanë bërë të ndihem shumë mirë edhe këtu në Itali, në qytete të ndryshme më ndalojnë dhe më përgëzojnë. Por dua t’iu them, që më duhet t’ju falënderoj unë juve për këtë mikpritje në Shqipëri.