Futbolli nuk është hera e parë që ndalet në Shqipëri. Ka pasur disa herë forca madhore që kanë detyruar qeverinë dhe FSHF-në të ndërpresë aktivitetin. Nëse këtë herë kemi të bëjmë me një pandemi globale (koronavirusi), duhet të kthehemi 23 vite pas për të gjetur një precedent që ka ndalur kampionatin shqiptar.

Bëhet fjalë për vitin e tmerrshëm 1997, kur mes plumbave ishte e pamundur të luhej. Ishte sezoni 1996-1997, teksa kampionati u ndërpre pas vetëm 17 javësh në mars, për të vazhduar më pas në muajin gusht 1997. Diçka e pazakontë, për më tepër që ishte një kampionat me 18 skuadra.

Sulejman Starova i rrethuar nga policë me kallashnikov në vitin 1997 gjatë finales së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Flamurtari 2-2 (4-3 me penallti) luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”

Sulejman Starova i rrethuar nga policë me kallashnikovë në vitin 1997 gjatë finales së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Flamurtari 2-2 (4-3 me penallti) luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”

FSHF bëri një “shpikje” në atë periudhë, duke e ndarë kampionatin në tri grupe me nga 6 ekipe. Praktikisht u zhvillua një fazë “play-off” dhe “play-out”, që shpalli Tiranën kampione. Pas 17 javësh kampionat i rregullt kryesonte Flamurtari, por që e humbi fronin pas penalizimit me 4 pikë nga FSHF dhe më tepër prej faktit se ndeshjet nuk u zhvilluan më në Vlorë.

Ekipet luajtën nga vetëm pesë ndeshje. Gjashtë të parët që ishin për titull luajtën në Tiranë, gjashtë të tjerat të mesit të artë në Durrës dhe Kavajë, ndërsa ato që luftonin për mbijetesë zhvilluan takimet në Elbasan. Luftëtari i Gjirokastrës (në vitin 1997 klubi kishte emrin Shqiponja), u tërhoq nga gara, edhe pse pozicionohej në vendin e 15-të. Kësisoji, grupi i skuadrave që luftonin për mbijetesë vazhdoi me vetëm pesë klube.

Në atë sezon bardheblutë u shpallën kampionë me 46 pikë, ndërsa në vend të dytë e mbylli Vllaznia (43 pikë). Përpara se të luhej faza “play-off” për titullin, në stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua finalja e Kupës së Shqipërisë, pikërisht në qershor të atij viti mes Partizanit dhe Flamurtarit. Trofeun e fituan “demat e kuq”, teksa 90 minutat u mbyllën 2-2, ndërsa nga pika e bardhë Partizani ia doli, duke shënuar 4 gola ndaj 3 të vlonjatëve.

Trajner i të kuqve në vitin 1997 ishte Sulejman Starova. Sot, 23 vite më pas, kur nuk mund të flitet më për futboll, pasi Shqipëria është në një moment dramatik prej përhapjes së koronavirusit dhe njerëzit janë të ngujuar në shtëpi, “Bobi” kujton në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, atë që ndodhi në vitin e trazirave, si dhe bën një propozim për vazhdimësinë e kampionatit aktual.

Sulejman Starova i rrethuar nga policë me kallashnikov në vitin 1997 gjatë finales së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Flamurtari 2-2 (4-3 me penallti) luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”

Sulejman Starova i rrethuar nga policë me kallashnikovë në vitin 1997 gjatë finales së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Flamurtari 2-2 (4-3 me penallti) luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”

Natyrisht ka shumë pikëpyetje dhe Starova si një ish-sekretar i FSHF-së pas vitit 1998, jep variantet e tij nëse nuk do të luhet për një kohë të gjatë. Sipas tij, problem më i madh është Kupa e Shqipërisë, pasi kampionati mund të vazhdojë të luhet në qershor me nga tre ndeshje në tetë ditë. Trajneri kampion me Partizanin dhe Tiranën tregon edhe atë që i ka ndodhur në vitet ’70, kur kampionati u ndërpre për shkak të një virusi në shkollën sportive të Shkëndijës së dikurshme, që merrte pjesë në elitën e futbollit.

Profesor, jemi në një moment ku nuk mund të flitet më për futboll. Çfarë jeni duke bërë…?

Si të gjithë edhe unë, jam duke qëndruar në shtëpi me shpresën që ky virus të largohet sa më parë dhe të fillojmë jetën normale.

Për herë të fundit për një forcë madhore kampionati është ndalur në vitin 1997. Besoj keni shumë kujtime nga ai sezon…?

Po, patjetër. Kam qenë trajner i Partizanit dhe sezonin e mbyllëm me trofeun e Kupës së Shqipërisë. Klubi drejtohej nga italianët, presidenti Antonio De Simone dhe zv.presidenti Enzo Minjoli. Shef klubi ka qenë Bujar Labinoti, ndërsa bashkëpuntorët e mi ishin Perlat Musta dhe Shpëtim Duro. Kemi shkuar në finale të Kupës ndaj Flamurtarit, ku fituam me penallti. E kam ende foton ku ruheshim nga policë me kallashnikovë brenda fushës në “Qemal Stafa” (qesh).

Ish-portieri Perlat Musta, ish-anëtari i kryesisë së klubit në vitin 1997, Krenar Bizhga, presidenti De Simone, trajneri Starova, si dhe ish-trajnerët e kuq, Skënder Gega dhe Shpëtim Duro. Gega në vitin 1997 sapo kishte lënë futbollin, ndërsa Duro dhe Musta ishin ndihmës të Starovës

Ish-portieri Perlat Musta, ish-anëtari i kryesisë së klubit në vitin 1997, Krenar Bizhga, presidenti De Simone, trajneri Starova, si dhe ish-trajnerët e kuq, Skënder Gega dhe Shpëtim Duro. Gega në vitin 1997 sapo kishte lënë futbollin, ndërsa Duro dhe Musta ishin ndihmës të Starovës

Ka qenë një vit i vështirë dhe i bukur. Kapiten ekipi ishte Ilir Shulku, ndërsa Skënder Gega sapo e kishte lënë futbollin. Eh nostalgji, ka qenë Partizan i bukur, duke filluar nga portieri Arjan Beqja, Shulku, Tole, Milori, Riza, Daiu, Peço, S.Curri, Baholli, Tafaj, Mahmutaj, Karaj dhe Munishi, një lojtar nga Kosova. Të më falin nëse kam harruar ndonjë. Mjek i ekipit ka qenë Mel Ostreni. Më pas jam larguar nga Partizani dhe kam nisur punë në FSHF në vitin 1998.

Duke pasur parasysh precedentin e vitit 1997, ku FSHF bëri një “play-off” pas ndërprerjes afro 3 muaj të aktivitetit, mendoni se edhe këtë herë mund të ndodhë e njëjta gjë nëse kampionati pushon gjatë…?

Nuk e shikon çfarë po bëhet, kush e ka mendjen te futbolli tani… Megjithatë, nuk ka shans të shkojë me “play-off” apo shkurtime të tjera, pasi ka rregulla. Nëse me shpresën e Zotit pandemia merr fund në muajin prill, duke rënë rreziku, atëherë i bie të luhet komplet në gjithë muajin qershor kampionati.
Trajneri Starova, ish-presidenti i Partizanit, Antonio De Simone dhe ish-shefi i klubit të kuq, Bujar Labinoti, me trofeun e Kupës.

Nëse do të ishte sot drejtues i FSHF-së, cili do të ishte propozimi juaj?

Përderisa ka rregulla, s’ka pse bëhen shpikje. Ky është një sistem zinxhir, sepse kështu do të veprojnë të gjitha federatat në Evropë. Besoj se UEFA do të shtyjë edhe Evropianin 2020. Edhe Shqipëria do të shkojë në varësi të asaj që vendosin edhe kampionatet e tjera. Nëse do të isha unë në FSHF, propozimi im do të ishte të luheshin deri në tri ndeshje në javë gjatë muajit qershor.

Duke luajtur të mërkurën, të dielën dhe sërish të mërkurën, nuk besoj ka ndonjë problem të madh, sepse në fund të fundit, vetëm 10 javë kampionat ka mbetur. Problem shoh vetëm Kupën e Shqipërisë, pasi nuk janë luajtur ende çerekfinalet. Megjithatë, edhe në këtë kompeticion mund të bëhet diçka. Ky është një siklet që e kanë të gjithë tani dhe derisa nuk i jep dot zgjidhje Italia etj., edhe ne do të gjejmë një rrugë.

Ju e përjashtoni mundësinë e një “revolucioni” me kampionatin?

Ore mund ta zgjidhësh kampionatin me tri ndeshje në javë, por me Kupën çfarë do bësh?! Kampionati duhet të mbarojë komplet, në të kundërt gara cenohet. Këto janë rregulla loje, kështu që të 10-ta skuadrat duhet ta mbyllin kampionatin deri në fund. E përsëris, vetëm 10 javë kanë mbetur, nuk është ndonjë hata. S’mund të shkurtosh skuadrat. Problem shoh vetëm Kupën, por me një kalendar super të ngjeshur, je i detyruar ta mbyllësh edhe atë. Nuk ke çfarë të bësh, sepse në të kundërt prish rregulloren. Shtyrja shpëton FSHF-në dhe klubet bashkë, shmang polemikat. Ishalla nuk zgjatet më tepër karantina.
Partizani i Starovës feston me tifozët e kuq në “Qemal Stafa” fitimin e Kupës në qershor të vitit 1997

Përveç vitit 1997, kujton ndonjë periudhë tjetër kur kampionati është stopuar prej një arsyeje të fortë?

Po, kur kam qenë futbollist te Shkëndija në vitet ’70. Mbaj mend që gjithë shkollën e futbollit e zuri fruthi. Konvikti u kthye në spital derisa gjendja u stabilizua.

Ka qenë epidemi dhe u ndërpre gjithçka, por për fat të mirë nuk pati viktima. Ka qenë rast i veçantë, pasi kushdo që ishte në shkollë, e zuri fruthi. Shkëndija ishte një ekip dinjitoz për kohën dhe u bë problem i madh atëherë.