Pavarësisht rezultateve të fundit jo të mira, specialistë të ndryshëm të futbollit mendojnë se Vllaznia ende nuk ka hequr dorë nga arritja e objektivit të saj për të qëndruar në Superligë. Njëri prej tyre është edhe Sulejman Starova që duke analizuar ecurinë e kuqebluve në emisionin “Pressing”, është ndalur edhe tek ardhja e trajnerit Hysen Dedja në krye të tyre.

“Vllaznia ka marrë më shumë pikë jashtë se brenda sepse në ndeshjet që ka luajtur në Shkodër është futur në fushë për ta fituar ndeshjen dhe për rrjedhojë ka luajtur hapur, ngaqë nuk ka menduar asnjëherë për barazimin dhe prandaj i ka humbur të gjitha ndeshjet me skuadrat e forta.

Tani i ka marrë Ser Dedja si trajner që mendoj se ka për të futur më shumë gjak shkodrani në skuadër dhe duhet të luftojnë fort sepse tashmë është fundi dhe duhet vetëm shpirt gare për të marrë pikët.

Dhe do të shikoni se do të jetë një kockë e fortë edhe në Tiranë sepse është skuadër që mbrohet mirë dhe kundërsulmon dhe prandaj do të jetë e rrezikshme”- ka thënë Starova.

Ndeshja Tirana- Vllaznia do të luhet të premten në orën 17.00 në kryeqytet dhe ndonëse bardheblutë konsiderohen pretendentë për ta fituar këtë ndeshje, ka edhe prej atyre që mendojnë se shkodranët do të bëjnë çmos për të mos dalë pa pikë nga kjo përballje.
www.shkodrasport.com