Sulejman Starova, një emër i njohur i futbollit tona në të gjitha nivelet e tij, është i bindur se aleancat e shumëpërfolura në atë shqiptar, janë të pranishme kudo në Europë. Një mendim të cilin ai e ka shprehur në intervistën e dhënë për “Sport News” në “News 24” ku ka analizuar Superioren dhe ka bërë bilancin para fundit të sezonit.

Sipas tij, skema e “Final Four” është e duhura dhe vetë klubet e pëlqejnë. Gjithashtu, në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Starova është ndalur edhe te skuadrat e veçanta dhe te objektivat që kanë, nga kreu e deri në fund të tabelës.

Përpara se të analizojmë garën në këtë fund sezoni të rregullt, kam dy pyetje shkurt që kanë qenë temë e fortë debati. E para, a po luhet ndershëm profesor? A ka aleanca?
Në çdo vend të Europës ka marrëveshje, edhe media nuk reagon shumë. Për shembull kur iu duhen një pikë, nëse të kujtohet Danimarka me Suedinë që bënë atë 2-2 e famshëm. Ne duhet të jemi të kujdesshëm përderisa nuk kemi fakte.

Ky është sezoni i dytë që po aplikohet skema “Final Four”. Në këndvështrimin tënd, a i ka përmbushur pritshmëritë, a duhet vijuar me këtë skemë?
Jemi dy javë para fundit dhe ende nuk e dimë se kush do dali e para, kush do luajë në “play out” dhe kush do dali direkt. Duke iu referuar faktit tjetër, në “Final Four” me dy takime shkon në finale dhe ti mund ta humbësh kampionatin, këtu shikoj si defekt për ekipin që ka udhëhequr gjithë kohës. Më e keqja është kur udhëheq me distancë pikësh, jo si sivjet që vendi i parë po diskutohet akoma. Unë mund të them se në “Final Four”, shumica e skuadrave e pëlqejnë këtë lloj skeme, sepse duke marrë pjesë te vendi i katërt, i tretë apo edhe tek i dyti, këto kanë mundësi që të dalin kampion.

Starova, luhet për biletën e fundit në “Final Four”, kush shkon mes Partizanit dhe Elbasanit? Përplasen kokë më kokë në javën e fundit…
Atë biletën nuk e gjejmë dot. Kjo është bukuria e asaj që folëm deri tani. Partizanin po e bezdis Elbasani. Partizani luan me Bylisin në Ballsh, Elbasani ka ndeshjen tjetër, ndërkohë që është Kupa e Republikës, ku Partizani është në avantazh pasi ka ftuar 1-0. Nuk është pak.

A mjafton vetëm Gega për të shpëtuar sezonin e Partizanit? A mundet Partizani të fitojë një nga dy trofetë?
Trajneri ka marrë një gjë përsipër, ka ardhur në fund të kampionatit. Normalisht Partizani kërkon kampionatin dhe Kupën, i ka të detyrueshme. Është e ngjeshur koha, ka lodhje fizike dhe mendore. Ka një ndeshje të fortë me Bylis. Gjithë fokusi te Partizani, dhe te ne që komentojmë, është te ajo ndeshje.

Meqë jemi te favoritët, mes Egnatias, Vllaznisë dhe Dinamos, kë sheh favorit për titull Starova? Cila skuadër të bind më shumë?
Egnatia ka ardhur në rritje. Unë them se është më mirë sivjet, se vjet. Sa i takon Dinamos, dinamovitët kanë ardhur gjithashtu në rritje dhe kanë bërë sezon pozitiv. Vllaznia është ekip që i ka numrat për të dalë kampion, ka patur oshilacionet e veta. Ka marrë një bonus moral në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos.

Meqenëse jemi këtu, Dinamo për shembull ka katër ndeshje radhazi që nuk fiton. A mund të ndikojë kjo “fikje” për fazën finale? A mund ta kapë menjëherë më pas formën optimale?
Ajo që ndikon më shumë është mungesa e lojtarëve, ka patur shumë lojtarë të dëmtuar. Unë nuk mendoj se fillimi i gjysmëfinaleve do të jetë “zjarr”. Kur ke gjithë ekipin e plotë, është gjë e mirë.

Starova, një garë e fortë dhe komplekse luhet për mbijetesë. E prisje Tiranën në këtë pikë, në garë për  të mbijetuar? Më thuaj të drejtën, e sheh të rrezikuar? Luan kundër Teutës dhe Dinamos në dy sfidat e fundit…
E tregon klasifikimi që Tirana është në vështirësi. Ajo që bie në sy nga ana teknike, Tirana është kontradiktore, sa i takon golave të shënuar. Është alogjike ta shikosh të vuash dhe të luftojë për mbijetesë, kur ka shënuar kaq shumë gola. Është skuadër që gjithashtu ka pësuar shumë gola. Tirana ka këtë tregues negativ. Mendoj se pas kësaj jave, mund të bëjmë ndonjë parashikim.