Liverpuli nis sot mbrojtjen e titullit, por trajneri Jyrgen Klop thotë se skuadra e tij nuk do ta mbrojë atë, por do ta sulmojë me të gjitha armët që ka. Sfida e parë është kundër Lidsit të Bielsës në “Anfield”.

“Dikush më tha se ne duhet të mbrojmë titullin, por unë nuk e kuptoj këtë. Ndoshta nuk jam mjaftueshëm i zgjuar, por ne do të luftojmë me të gjitha armët dhe do ta sulmojmë atë. Jemi të gjithë në të njëjtin pozicion dhe gjithçka nis nga zeroja: 0 ndeshje, 0 pikë”.

I ngacmuar se më në fund do të ketë një bisedë me Marselo Bielsën sot në “Anfield” dhe se çfarë do të diskutojë me trajnerin argjentinas, gjermani u përgjigj me një batutë: “Do të më pëlqente të kisha një bisedë me të, por spanjishtja ime nuk është aq e mirë, përveçse arrij të porosis një birrë. Stili i lojës së tyre i përshtatet edhe më shumë Premier Ligës”.

Klop zbulon edhe detajet e bisedës së tij me Vajnaldumin, i cili kërkohet nga Barcelona në vitin e fundit të kontratës me “Reds”-at dhe me sa duket e ka fituar betejën për ta mbajtur mesfushorin holandez: “Kam folur me të pas rikthimit nga Holanda dhe gjithçka është në rregull për të ardhmen. Xhini është këtu, nuk e di për rinovimin. Nuk kam asgjë për të thënë”.

Pastaj pranon për herë të parë se është i interesuar për të firmosur me yllin e Bajernit, Tiago Alkantara: “Nëse unë mund të shpikja një fjalë që mund t’u jepte fund spekulimeve, mendoj se do të bëhesha me të vërtetë i pasur. Nuk u jap dot fund spekulimeve për sa kohë merkatoja është e hapur. Vetëm kaq mund të them.

A përmenda që Tiago është një lojtar shumë i mirë? E kam thënë shumë kohë më parë. Është bukur që na lidhin me të. Ai është një lojtar i mirë dhe Liverpuli një klub i madh, kështu që mjafton. Por, përveç kësaj, nuk kam asgjë tjetër për të thënë dhe fatkeqësisht apo fatmirësisht për ju mediat, unë nuk u jap dot fund spekulimeve”.