Java e 30-të e kampionatit do e gjejë Vllazninë në një përballje shumë të vështirë. Kuqeblutë do presin në Shkodër, ditën e shtunë, skuadrën e Partizanit. Ekip që vetëm para 1 jave e eleminuan nga kupa dhe brenda 10 ditëve të kuqtë rikthehen në “Loro Boriçi” me ndjenjën për tu hakmarrë. Por edhe për të luftuar për një vend në kupat e Europës.
Kjo do jetë edhe përballja e gjashtë në këtë sezon mes dy skuadrave. Ku përveç dy dueleve në kupë që përfunduan në shifrat 0-0 dhe 1-1 ku Vllaznia avancoi në finale falë penalltive, janë edhe 3 duele në kampionat. Edhe aty shifrat flasin për kuqeblutë që numërojnë dy barazime në shifrat 1-1 dhe një fitore me rezultatin 1-0.
Po të shtojmë këtu edhe ndeshjet e sezonit të shkuar përballë Partizanit, Vllaznia është shumë lart. Kjo pasi në katër duelet e edicionit të kaluar, jo vetëm që nuk ka humbur përballë kryeqytetasve, por madje as nuk ka pësuar gol. Kjo pasi ka siguruar dy fitore 1-0 dhe 0-1 dhe po ashty dy barazime të bardha në shifrat 0-0.
Janë plot 9 ndeshjet rradhazi që Vllaznia nuk njeh humbje përballë një kundërshtari si Partizani. Duke u shndërruar kështu në një kundërshtar të preferuar për shkodranët, të cilët në ditën e shtunë do kërkojnë ti bëjnë 10-të ndeshjet rradhazi që nuk humbin kundër Partizanit, ku të gjithë patjetër shpresojnë tek 3 pikëshi.
Endri ÇINARI