E nisi me bujë, arriti të përfaqësojë me dinjitet futbollin shqiptar në Kupat e Europës teksa ishte i vetmi ekip që kaloi një tur dhe më pas, asgjë. Një sezon i tëri për t’u harruar. Vllaznia i ka zhgënjyer të gjithë. Duke nisur nga tifozët e zjarrtë, vetë futbollistët që nuk siguruan asgjë dhe për ta mbyllur me njeriun që “është djegur” më shumë nga të gjithë: Valter Fushajn.
Ky i fundit mbase ka patur edhe vetë faj në ndërtimin e kësaj skuadre porn ë fakt përgjegjësinë më të madhe e kanë trajnerët që e drejtuan atë dhe mbi të gjithë Hasan Lika që nuk nguli këmbë për një merkato cilësore në verë.
– “Epoka Lika”, nisja e shëmtuar e sezonit
Pjesmarrja e Vllaznisë në Europa Ligë gjatë verës kushtëzoi jo pak merkaton e saj. Kalimi i një turi, pikërisht ndaj një skuadre irlandeze siç ishte Sligo Rovers, krijoi përshtypjen tek drejtuesit e skuadrës por edhe ato të klubit se kontigjenti i lojtarëve në dispozicion ishte i mjaftueshëm për të përballur një sezon në nivele të larta. Megjithatë nisja e kampionatit do tregonte tjetër gjë. Pa kaluar shumë javë nga fillimi i kampionatit, do dilnin në pah problemet e ekipit me merkaton e lojtarëve. Përpos kësaj u pa qartë se futbollistët nuk ishin edhe të përgatitur mirë fizikisht. Faza përgatitore e zhvilluar në Pukë, nuk ka qenë e mjaftueshme për të përballur një sezon të gjatë, rrjedhojë edhe e ndeshjeve europiane. Duke qenë kështu, kampionati nisi jo mirë për Vllazninë. Në kavajë në javën e parë ndaj Besës, vjen humbja e parë. Është sinjali se gjërat nuk janë në vendin e duhur. Përpos faktit tjetër që nis edhe seria e ndëshkimeve nga gjyqtarët teksa Jareci konstestohet për arbitrim të njëanshëm në këtë takim. Një javë më pas ndaj Apolonisë në Shkodër vjen fitorja e parë dhe e vetme në “epokën Lika”. Madje edhe ajo “in extremis” teksa kosovari Nallbani do shënonte në minutën e tretë të shtesës. Duket sikur skuadra merr frymë por nuk është kështu. Në javën e tretë vjen humbja në Krujë me Kastriotin dhe duket qartë se gjërat nuk janë në vendin e vet. Pak ditë më vonë, të gjithë “gënjehen” me paraqitjen ndaj Dinamos, kryesueses së kampionatit teksa barazohet në “Loro Boriçi” 0-0. Megjithatë periudha e drejtimit të skuadrës nga Hasan Lika do merrte fund në javën e pestë. Skuadra humbet në Durrës 1-0 dhe presidenti Valter Fushaj nuk mund të tolerojë më. Janë 5 ndeshje të zhvilluar dhe vetëm 4 pikë të marra. Çka është më e keqja, kjo skuadër nuk di të shënojë teksa në 450 minuta kampionat, u shënuan vetëm një gol. Rrjedhimisht Hasan Lika shkarkohet duke vënë në dyshim shumë gjëra për të ardhmen e kësaj skuadre.
-“Epoka Luçi”, ndryshime por të pamjaftueshme
Largimi i Likës nxorri në plan të parë zëvendësimin e tij me një trajner që të ishte i aftë të sillte ndryshimin në skuadër. Presidenti Fushaj i beson një shkodrani, pikërisht Roland Luçit. Ky i fundit si futbollist i njohur nuk kishte aq shumë përvojë në pankinë megjithatë vinte nga Austria dhe iu besua atij ndoshta për të sjellë ndryshimin. Bashkë me të mbërriti edhe ish-futbollisti i kombëtares Blerim Rrustemi dhe u duk sikur gjërat do ndryshonin. Megjithatë nuk ishte krejt kështu. Luçi e filloi ndaj Flamurtarit në javën e gjashtë duke humbur në Vlorë dhe do ta linte pankinën e Vllaznisë po ndaj Flamurtarit në javën e 17-të pas barazimit 2-2 në Shkodër në fundin e dhjetorit. Në 12 ndeshjet që ai drejtoi kuqeblutë, u mundua të ndryshonte disa gjëra. Së pari, goli për ta nuk ishte më problem. Duke parë disa probleme që kishte Sinani, në skenë do dilte 19 vjeçari Bala dhe për rrjedhojë, Luçi ka meritën e madhe të promovimit të tij. edhe gjatë kësaj periudhe, problemet me gjykimin për Vllazninë do vazhdonin teksa bluzat e zeza i heqin disa pikë të mira pikërisht në ndeshjen ndaj Tiranës, atë në Korçë ndaj skënderbeut, atë me Besën të humbur 2-3 në Shkodër etj. Pikërisht mosmarrja e këtyre pikëve, e dëmtoi jo pak imazhin e Luçit i cili si përvojë të parë të drejtimit në futbollin shqiptar, duhet pranuar se ishte edhe shumë emocional. Disa shkrime në media për mundësinë e uljes fillimisht të Sulejman Starovës në pankinën shkodrane e më pas edhe të Edi Martinit, nuk e lanë të punonte i qetë ish-sulmuesin e njohur të kuqebluve. për rrjedhojë, ndarja me të në fund të dhjetorit ishte rrjedhë logjike e këtyre problemeve të hasura dhe mosnjohjes së ambjentit shqiptar. Megjithatë kthesa në njëfarë mënyre kishte filluar. Me Luçin në pankinë, Vllaznia grumbulloi 15 pikë por pozitat e saj ishin ende të lëkundura sepse në periudhën e ndërrimit të viteve, ajo renditej e nënta.
-“Epoka Martini”, afër suksesit dhe dështimit
Në fund të dhjetorit, klubi shkodran vendosi t’i besonte Edi Martinit. Mosha e re, grinta e tij dhe njohja e shkëlqyer e kampionatit shqiptar, ishin arsyet që e nxitën presidentin Fushaj t’i besonte atij. Njëkohësisht të plotësonte të gjitha kërkesat e tij. për rrjedojë, nga skuadra do largohen një e nga një me rradhë Rrustemi, Kasapi, Leandro, Hallaçi, A. Beqiri e Galica ndërkohë që për arsyet kontraktuale largohen nga skuadra edhe dy emra të mirënjohur si Sinani dhe E. Beqiri. Do vinin disa nga të preferuarit e Martinit si Kraja, Belisha, Leci, Haxhibuliç apo dhe Feniks për të cilin flitet me superlative. Shpresat janë të mëdha për ndryshime në skuadër sepse zhvillohet edhe një fazë përgatitore e mirë në Ulqin. Kuptohet që pikësynimi kryesor është fitimi i Kupës së Shqipërisë por njëkohësisht pretendohet të arrihet Europa edhe përmes kampionatit. Shumëkush nuk beson në këto çfarë thotë trajneri i ri megjithatë ai nuk ngutet. Vazhdon të mbijetojë edhe pas dy humbjeve të para të Vllaznisë nën drejtimin e tij ndaj Shkumbinit dhe Laçit. Fillojnë dyshimet për skuadrën megjithatë stafi ku bëjnë pjesë edhe Rakiqi e Dani, ka ende besim. Rrjedhimisht kthesa nis. Nëj fitore në “Qemal Stafa” me Tiranën kampione dhe gjërat ndryshojnë. Pas saj edhe 5 fitore të tjera dhe 2 barazime dhe në Shkodër Edi Martinin fillojnë ta çojnë në piedestal. Vllaznia ka eliminuar në kupë fillimisht Skënderbeun në çerekfinale dhe pastaj edhe Teutën në ¼ të finaleve dhe e sheh veten në finale ndaj Besës. Gjërat duket se shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Derisa mbërrijmë tek gabimi “njerëzor” në ndeshjen e kampionatit ndaj Skënderbeut që në fushë fitohet 3-2 por që humbet 0-2 në tavolinë nga Komisioni i Disiplinës për një gabim në plotësimin e protokollit nga stafi shkodran. Kjo mund të jetë pikënisja e dështimit të fund-sezonit. Skuadra humbet edhe në Krujë dhe më pas i vjen rradha ndeshjes finale të kupës. Aty ku Vllaznia udhëhoqi rezultatin deri në ’85 por nuk mundi ta mbante më. Një dështim megjithatë dinjitoz teksa kapakun e këtij sezoni do t’ia vinte humbja në Shkodër me teutën. Një humbje që solli shumë akuza dhe mbase prej saj e pësoi edhe Edi Martini që gjithsesi është vlerësuar nga opinioni sportive shkodran për punën e bërë në 16 javët e kampionatit ku arriti të grumbullojë 26 pikë.
Të veçanta:
-Rizvanolli, zhgënjimi i sezonit për kuqeblutë
Ka mbërritur në Shkodër në prag të fillimit të kampionatit. Pikërisht atë ditë kur u prish kontrata me Xhevahir Sukajn të cilit i doli një ofertë e mirë nga Turqia dhe u lejua të largohej. Shkodranët të gjendur të papërgatitur nga një largim i tillë, vendosën të merrnin sulmuesin tiranas, i njohur për kampionatin shqiptar por jo në formën e tij më të mirë. Por si erdhi, nxitimthi, ashtu u largua. Ka luajtur në 7 ndeshje si zëvendësues dhe më pas është përjashtuar nga ana e klubit për mosimpenjimin e duhur. Gjithsej ka vetëm 118 minuta aktivizim me Vllazninë dhe disa miliona të marrë, duke e vënë atë në krye të listës së dështimeve të merkatos kuqeblu të këtij sezoni.
-Balaj, zbulimi i madh i sezonit
Nëse të gjithë prisnin nga Rizvanolli apo dhe Sinani, “ta merrnin për dore” Vllazninë këtë sezon që kaloi, nuk ka ndodhur kështu. Ai që do spikaste do ishte pikërisht një futbollist që ende nuk i kishte mbushur 19 vjeç. bëhej fjalë për Bekim Balën, një sulmuesi i ri shtatëlartë dhe shumë i talenuar. Në 5 ndeshjet e para nën drejtimin e Hasan Likës ai asnjëherë nuk ëhstë titullar por luan vetëm pak minuta. Me ardhjen e Luçit, ai e aktivizon në pjesën e dytë të ndeshjes me Shkumbinin dhe Bala ia shpërblen. Shënon dy gola dhe këtu nis historia e tij. nuk del më asnjëherë nga formacioni dhe është protagonist me golat dhe lojën e tij. edhe me ardhjen e trajnerit Martini vazhdoi e njëjta situatë dhe në fund të sezonit, ky futbollist i dalë nga Akademia e klubit, ka në listë 17 gola të shënuar, 9 në kampionat dhe 8 në kupë, duke qenë jo vetëm shënuesi më i mirë i Vllaznisë por një nga më të mirët e krejt kampionatit tonë. Jo më kot, për këtë futbollist në fund të sezonit kanë vërshuar ofertat dhe pritet largimi i tij nga kampionati shqiptar.
Ecuria jave pas jave:
Java 1
Besa- Vllaznia 2-0
Java 2
Vllaznia- Apolonia 1-0
(Nallbani 90’+3)
Java 3
Kastrioti- Vllaznia 1-0
Java 4
Vllaznia- Dinamo 0-0
Java 5
Teuta- Vllaznia 1-0
Java 6
Flamurtari- Vllaznia 2-0
Java 7
Vllaznia- Shkumbini 2-0
(Balaj 48’, 61’)
Java 8
Laçi- Vllaznia 3-1
(Kasapi 88’)
Java 9
Vllaznia- Tirana 0-1
Java 10
Skënderbeu- Vllaznia 1-1
(Balaj 49’)
Java 11
Vllaznia- Gramozi 1-0
(Osja 65’)
Java 12
Vllaznia- Besa 2-3
(Sinani 55’, Balaj 74’)
Java 13
Apolonia- Vllaznia 1-1
(E. Beqiri 13’)
Java 14
Vllaznia- Kastrioti 1-0
(Alikaj 37’)
Java 15
Dinamo- Vllaznia 4-2
(Rajoviç 21’, E. Beqiri 23’)
Java 16
Vllaznia- Teuta 2-1
(Balaj 18’, Alikaj 58’)
Java 17
Vllaznia- Flamurtari 2-2
(Nallbani 57’, Balaj 88’)
Java 18
Shkumbini- Vllaznia 2-1
(Shtubina 54’)
Java 19
Vllaznia- Laçi 1-2
(Balaj 36’)
Java 20
Tirana- Vllaznia 0-1
(Balaj 34’)
Java 21
Vllaznia- Skënderbeu 3-2
(Belisha 8’, Sea.Haxhibuliç 53’ (11-m), Shtubina 62’)
Java 22
Gramozi- Vllaznia 1-1
(Mrvaljeviç 36’)
Java 23
Shkumbini- Vllaznia 0-0
Java 24
Vllaznia- Laçi 1-0
(Kraja 16’)
Java 25
Tirana- Vllaznia 1-2
(Rajoviç 26’ (11-m), Abraham 83’ (aut)
Java 26
Vllaznia- Besa 2-0
(Kraja 15’, Shtubina 65’)
Java 27
Dinamo- Vllaznia 1-2
(Nika 82’, Rajoviç 84’ (11-m)
Java 28
Vllaznia- Skënderbeu 0-2 (aforfe)
Java 29
Kastrioti- Vllaznia 2-0
Java 30
Vllaznia- Flamurtari 1-1
(Shtubina 54’)
Java 31
Gramozi- Vllaznia 1-2
(Mrvlajeviç 76’, Shtubina 89’)
Java 32
Apolonia- Vllaznia 0-1
(Balaj 61’)
Java 33
Vllaznia- Teuta 0-2
Golat e Vllaznisë në kampionat:
1. Bekim Bala 9 gola
2. Ndriçim Shtubina 5 gola
3. Blazho Rajoviç 3 gola
4. Ilir Nallbani 2 gola
5. Elvin Beqiri 2 gola
6. Enkel Alikaj 2 gola
7. Ervis Kraja 2 gola
8.Zhelko Mrvaljeviç 2 gola
9.Amarildo Belisha 1 gol
10.Vioresin Sinani 1 gol
11.Sead Haxhibuliç 1 gol
12.Safet Osja 1 gol
13.Ansi Nika 1 gol
14.Fetim Kasapi 1 gol
15.A.Abraham (Tiran)1 (autogol)
———————-
34 gola
Aktivizimi i lojtarëve sipas ndeshjeve dhe minutave të luajtura:
1. Ilir Nallbani 32 ndeshje 2800 minuta
2. Ndriçim Shtubina 32 ndeshje 2560 minuta
3. Bekim Bala 30 ndeshje 2130 minuta
4. Dritan Smajli 28 ndeshje 2349 minuta
5. Armir Grima 27 ndeshje 2385 minuta
6. Edmond Doçi 23 ndeshje 1086 minuta
7. Zhelko Mrvaljeviç 22 ndeshje 1842 minuta
8. Blazho Rajoviç 21 ndeshje 1935 minuta
9. Enkel Akikaj 20 ndeshje 1339 minuta
10.Safet Osja 19 ndeshje 1240 minuta
11.Elvin Beqiri 16 ndeshje 1440 minuta
12.Amarildo Belisha 15 ndeshje 1327 minuta
13.Arsen Sykaj 14 ndeshje 763 minuta
14.Vioresin Sinani 13 ndeshje 1044 minuta
15.Sead Haxhibuliç 13 ndeshje 847 minuta
16.Rraman Hallaçi 13 ndeshje 955 minuta
17.Ervis Kraja 13 ndeshje 1170 minuta
18.Armando Vajushi 12 ndeshje 317 minuta
19.Liridon Leci 12 ndeshje 858 minuta
20.Ansi Nika 11 ndeshje 273 minuta
21.Blerim Rrustemi 10 ndeshje 632 minuta
22.Leandro Pinto 10 ndeshje 503 minuta
23.Ardit Beqiri 10 ndeshje 763 minuta
24.Fetim Kasapi 7 ndeshje 488 minuta
25.Erion Rizvanolli 7 ndeshje 118 minuta
26.Ari Djepaxhia 6 ndeshje 219 minuta
27.Xhimi Feniks 6 ndeshje 425 minuta
28.Olti Bishani 5 ndeshje 495 minuta
29.Elhan Galica 5 ndeshje 310 minuta
30.Edon Hasani 2 ndeshje 29 minuta
31.Ilion Lika 1 ndeshje 90 minuta
Përgatiti: Gjergj KOLA