Vllaznia-Tirana do të jetë një nga sfidat me interesante të javës së 3-të të Kategorisë Superiore. Klasikja e futbollit shqiptar do të luhet ditën e nesërme në “Loro Boriçi” me fillim nga ora 16:45.
Shkodranët kryesojnë kampionatin pasi kanë fituar në dy javët e para, ndërsa përballë do të kenë kampionët në fuqi të Superligës.
Vllaznia kërkon të “thyejë” edhe një tabu ndaj bardhebluve pasi ka rreth 4 vite që nuk fiton në shtëpi kundër Tiranës në kampionat.
Fitorja e fundit daton më 13 mars 2016 me Vllazninë që fitonte 3-1 në “Loro Boriçi” me golat e Cicmil, Shtubinës dhe Kalajs, ndërsa Cicmil shkaktoi edhe autogol duke i dhuruar golin e parë Tiranës.
Vllaznia ka arritur të marrë edhe një tjetër fitore 1-0 ndaj Tiranës më datë 13 dhjetor 2017, por ajo ndeshje luhej për çerekfinalen e Kupës. Goli i vetëm u shënua nga Kalaja, por në fund nuk mjaftoi pasi Tirana kishte fituar ndeshjen e parë me rezultatin 2-0./newsport/