Statistikat flasin qartë. Kooperativat e golit, skuadrat që dëfrehen duke shënuar sa më shumë që të kenë mundësi, sa herë që zbresin në fushë, pa dyshim që janë edhe ato që dominojnë shpesh në kampionatet përkatëse.
Gjithsesi, pas kësaj faze të parë dhe duke llogaritur ligat më të mëdha në Europë, të dhënat thonë se formacioni më i egër dhe më i saktë përpara portës nuk është PSG-ja e Mesit, Mbapesë dhe Nejmarit siç mund të mendohej përpara fillimit të këtij sezoni, por Bajerni i Mynihut i Levandovskit, Mylerit dhe Gnabrit.
“Tanku” gjerman, pas suksesit 4-0 ndaj Volfsburgut, numëron çmendurinë e 56 golave në 17 ndeshje kampionat, e thënë ndryshe 3.3 gola për ndeshje. Kjo shifër nuk specifikon vetëm faktin pse titulli duket në kasafortë sërish për Bajernin, por edhe atë çfarë e pret pjesën tjetër të Europës, në duelet Champions, me rifillimin e fazës së 1/8-ave në mesin e muajit shkurt. Në vend të dytë është një surprizë e bukur, si Benfika.
“Shqiponjat” e Portugalisë kanë shënuar 46 gola në 15 takime ose e thënë ndryshe 3.1 gola për ndeshje, një statistikë e cila të bën të kuptosh më qartë arsyen pse në Champions avancuan luzitanët dhe jo Barcelona. Një tjetër surprizë e këndshme europiane është edhe Ajaksi, ekipi që meriton medaljen e bronzit të kësaj renditjeje. “Harkëtarët” ecin me një ritëm prej 3 golash për ndeshje (51 realizime në 17 takime), duke lënë pas edhe dy armata të tjera shumë të frikshme në letër.
Konkretisht Liverpulin e Jyrgen Klopit që mbron shkallën e katërt të renditjes (2.77 gola për ndeshje, si rrjedhojë e 50 realizimeve në 18 takime) dhe Interin kampion dimri në Serinë A të Simone Inzagit, i cili me 2.66 gola për ndeshje mbyll renditjen e pesë skuadrave me sulmin më të fortë në kontinentin e vjetër, si rrjedhojë e 48 golave pas 18 takimeve.