Mauricio Sarri, jo më larg se dje, gjatë konferencës së prezantimit si trajneri i Juventusit, e shigjetoi edhe një herë tjetër Eden Hazardin për problemet që i shkaktonte Çelsit në mbrojtje.
“Gjatë viteve të fundit, unë kam luajtur me skemën 4-3- 3, por 4-3-3 te Çelsi ishte shumë i ndryshëm nga ai te Napoli. Na duhej të luanim sipas karakteristikave të Eden Hazardit, si lojtari që mund të ndryshonte ndeshjen duke bërë diferencën. Por prezenca e tij na shkaktonte gjithashtu probleme në mbrojtje, për të cilat duhet të punonim”, tha 60- vjeçari.
Dhe statistikat i japin të drejtë. Italiani tha shpesh gjatë vitit të tij në Angli se atij i duhej që të ndryshonte taktikat për t’i hapur vend Hazardit në skuadrën e tij, por duke i shkaktuar probleme në kontrollin e kundërshtarit. Por ai nuk e ka vënë kurrë në dyshim se belgu është një nga kampionët më të mëdhenj që ai ka drejtuar.
Gjatë sezonit të fundit, shifrat thonë se Çelsi ka pasur rezultate më të mira pa 28-vjeçarin në fushë sesa me të. Hazard luajti në 52 ndeshje për blutë e Londrës në të gjitha kompeticionet në vitin e tij të fundit në “Stamford Bridge”, duke e ndihmuar skuadrën e tij që të arrijë 30 fitore dhe 5 humbje. Me të në fushë, skuadra fitoi 57.7% të ndeshjeve, në krahasim me 81.8 kur numri 10 mungonte.
Në 11 ndeshjet që ai nuk luajti, Çelsi fitoi 9 dhe humbi vetëm 1. Mbrojtja pësoi mesatarisht 0.6 gola për ndeshje kur Hazard nuk luante, por kjo shifër ngjitej në një gol për ndeshje kur ishtalenti i Lilës ishte në fushë. Me cilësitë e tij dehëse të driblimit, Eden do të mrekullonte çdo skuadër në botë, por pa të në fushë, çuditërisht blutë dialogonin akoma më mirë me portën kundërshtare.
Me yllin e ri të Realit të Madridit në formacion, Çelsi shënonte mesatarisht 1.6 gola për ndeshje, por që shkonte në 2.8 gola kur ai nuk luante. Megjithatë, ajo që këto shifra nuk tregojnë, është standardi i vështirësisë së kundërshtarit që Çelsi ka pasur përballë gjatë këtyre ndeshjeve. Sepse në 11 ndeshjet që Hazard ka munguar, 7 prej tyre kanë qenë ndeshje të Ligës së Europës, në të cilat skuadra e Sarrit ka shënuar 21 gola, duke pësuar vetëm 3.